Apostolova tregon çka pret nga dialogu Kosovë-Serbi

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike nuk kontribuon në përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë.

Ajo deklaroi se ekonomia, krijimi i vendeve të punës, arsimi, mjedisi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë në qendër të çdo politikani dhe vendimmarrësi në Kosovë dhe se kjo është mënyra e vetme për të bërë përparim.

Kur u pyet nëse është e mundur një zgjidhje kompromisi, dhe se Prishtina dhe Beogradi fitojnë dhe humbasin në mënyrë të barabartë, Apstolova për gazetën “Jedinstvo” përsëriti se status quoja aktuale është e paqëndrueshme, dhe se BE-ja mbetet e përkushtuar të punojë së bashku me të dyja palët.

Apostolova pret një qasje konstruktive nga qeveria e Kosovës kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Beogradin dhe vazhdimin e dialogut që synon të punojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve, si dhe “për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura, një herë e përgjithmonë”.

Apostolova thotë gjithashtu se nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane, përfshirë Beogradin dhe Prishtinën.

Ajo paralajmëron, megjithatë, se nuk ka mundësi që një e ardhme evropiane të anashkalojë dialogun e ndihmuar nga BE të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë i BE Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Mirosllav Lajçak.

Ajo gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian monitoron punën dhe inkurajon organet përkatëse të marrin masa dhe të sigurojnë kushte më të mira në mënyrë që të krijojnë një mjedis më të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, transmeton Klan Kosova.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE