Arbana Xharra, fushatë në Skenderaj krah djalit të Sami Lushtakut

Anëtarja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës Arbana Xharra sot ka shkuar në Skënderaj për të bërë fushatë, bashkë me kryetarin e partisë, Kadri Veselin dhe kandidatin e PDK-së për deputet nga kjo komunë, Mërgim Lushtakun.

Kritikuesja e ashpër e PDK-së, posaçërisht e njerëzve të luftës brenda kësaj partie, hyri në PDK-në me qëllimin që ta reformoj partinë, të cilën dikur e portretizonte si një ndër partitë më të kriminalizuara dhe më të rrezikshme për vendin.

Shkrimet e saj nga puna si gazetare e dikur kryeredaktore në Gazetën Zëri kanë mbetur të publikuara ende online e disa gjenden në arkivën e gazetës.

Për babain e Mërgimit, me të cilin sot janë ulur pranë njëri-tjetrit për të kërkuar votën për PDK-në, kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtakun, Xharra publikonte shkrimet më të ashpra.

Rrustem Rukolli, mik i ngushtë i Sami Lushtakut, me të mësuar se Xharra ishte bërë pjesë e PDK-së, ai në mënyrë cinike pati shkruar se i është gëzuar lajmit, sepse, sipas tij, “Xharra më nuk do t’i shajë komandantët”.

“Mbetet të shihet se si do ta akceptoj këtë edhe njëri nga figurat kyçe të PDK – Kryetari i Komunës, njëherit Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, kur dihen shkrimet e saj kundër tij. E gjithë kjo ngre një pykpyetje të madhe për të gjitha ndërmarrjet e saj (dhe të tjerëve të cilat po i ofron sot PDK) të mëhershme kundër Sami Lushtakut, i cili edhe sot vazhdon të mbahet i paraburgosur dhe i izoluar, e ku vendimi i Supremes vazhdon të shtyhet pa ndonjë arsye ligjor”, shkruante Rukolli.

E Xharra, në një shkrim të saj, të botuar në vitin 2015 në Gazetën Zëri, trajtonte krimet e Rukollit e Lushtakut. Thoshte se atyre s’ka ç’ti bëjë as Policia e as drejtësia.

“Pra këtij biznesmeni, që është ngritur në krah të një komandanti të luftës, tash 16 vjet s’ka çka t’i bëjë as Policia e as drejtësia. Një grup ky interesi, i fuqizuar në emër të luftës që sot pos fuqisë financiare kanë arritur të kenë pushtet edhe mbi ligjin dhe gjithçka që quhet shtetërore”, shkruan Xharra në një prej opinioneve të saj. /Periskopi/

SHPËRNDAJE