Arben Gashi i del në mbrojtje aktivistit të VV-së: Presidenti të tërhiqet!

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se presidenti Thaçi duhet të tërhiqet nga gjuha urryese dhe përçarëse për sulmin dhe arrestimin e aktivistit të VV-së, sot para Kuvendit.

Sipas Gashit, fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional.

Shkrimi i plotë:

Presidenti duhet të tërhiqet!

Fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional.

Gjuha që po përdor presidenti është, thënë minimalisht, gjuhë e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit!

Presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese. Komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton!

Gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik.

SHPËRNDAJE