Arifi i përgjigjet Hahnit: Në Kosovë për taksën nuk pyetët Presidenti por…

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, deklaroi se ka ofruar zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinë dhe se po pret përgjigjen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Duke shpërfillur kështu totalisht Qeverinë e Kosovës që vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Por shefi i kabinetit të kryeministrit, Avi Arifi në një deklaratë për Periskopin ka thënë se Presidenti i vendit nuk pyetët fare për taksën. Sipas tij pushtetet janë të ndara dhe Qeveria nuk ndryshon mendimin.

“Nuk ka asnjë ndryshim ne qëndrimet e Qeverisë. Në Kosovë nuk vendos Presidenti por Qeveria”, ka thënë Arifi për Periskopin mi pyetur rreth shpërfilljes që Hahn ia ka bërë Qeverisë duke lënë në dorë të presidentit fatin e taksës.

Qeveria ka deklaruar se nuk do të heqë taksën deri në njohjen nga ana e Serbisë.

Komisionari Hahn, në një intervistë për televizionin N1, ka thënë se në Forumin Ekonomik të Davosit, ka biseduar me presidentët Thaçi dhe Vuçiq dhe se në detaje i ka njoftuar me propozimin e tij.

“Propozova që të bashkërendohen të gjitha çështjet përkatëse tregtare që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Kosovën. Unë jam i gatshëm që ta drejtoj këtë bisedë dhe kjo do të ishte bazë për të supozuar që është i mundur vazhdimi i dialogut i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini “, tha Hahn.
Komisionari Hahn në këtë intervistë tha gjithashtu se Thaçi dhe Vuçiq e kuptuan propozimin e tij dhe ditëve në vazhdim pret përgjigjen e tyre pozitive. /Periskopi

SHPËRNDAJE