Armend Muja: Imazhi i diplomacisë është rrënuar me emërimet e konsujve e ambasadorëve për teke politike

Analisti politik, Armend Muja, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe kërkesën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, që ambasadorët, Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu të kthehen nga shërbimi diplomatik në botë.

Muja ka pohuar se nuk ka nevojë për shumë hamendje për të kuptuar se Kosova ka pësuar dështime të vazhdueshme në politikën e jashtme dhe në raport me Serbinë që nga viti 2013.

“Kosova ka nevojë për një riformulim të parimeve, mjete dhe ri-orientim të resurseve drejt prioriteteve të reja. Viteve të fundit imazhi i diplomacisë është rrënuar me emërimet e konsujve e ambasadorëve për teke politike”, ka thënë Muja.

Më tej analisti në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se shërbimi i jashtëm ka qenë i influencuar në përmbajtje dhe burime njerëzore që nga partitë që kanë qeverisur Kosovën, duke shtuar më tej se është ende herët për të gjykuar suksesin e Qeverisë së re për të ndërtuar një sistem profesional.

“Kur vendimet merren në tufë, është vështirë të gjykohet merita e secilit”, ka thënë ai.

Muja ka paraqitur edhe disa pikëpamje:

1) Qeveria e Kosovës propozon dhe zbaton politikën e jashtme- është e vërtetë që Presidenti mandatohet me Kushtetutë të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare. Megjithatë ajo duhet të vjen në konsultim dhe me autorizim të Qeverisë. Pra, Qeveria formulon dhe zbaton politikën e jashtme dhe përmbajtja finale duhet të vjen në koordinim dhe konsultim me presidentin, Kosova është Republikë Parlamentare.

2) Qeveria e Kosovës/Ministria e Punëve të Jashtme-propozon emërimin dhe shkarkimin e shefave të Misioneve diplomatike. Vendimet duhet të dekretohen nga Presidenti. Shërbimi jonë është diplomatik, në parim përbehet nga diplomate të karrierës dhe të nominuar politik (50/50).

Të emëruarit shërbejnë për një periudhë 4-vjeçare. Pra në këtë rast është e diskrecion të Qeverisë për t’i dhënë besimin apo jo shefave të misioneve. Nuk është e definuar qartë nëse shefat e misioneve mund të shërbejnë më shumë së një mandate pa shkëputje.

3) Shkarkimet në tufë- duke qenë që shkarkimet bëhen në tufë, rrezikojmë të japim meritat apo njollosim të gjithë me kutin e njëjtë. Të nominuarve apo të shkarkuarve duhet t’i ofrohet mundësia për dalje me dinjitet nga shërbimi. Kur ka arsye edhe t’u njihen meritat. Është ende herët të konkludojmë nëse MPJ do të ketë qasje të njëjtë ndaj të gjithë të emëruarve politik, përfshirë atyre të LDK, PDK.

AKR dhe AAK-së. Deri në veprimet tjera që dëshmojnë qasjen parimore, mendimi im është që znj/Çitaku, z/Grejçevci dhe z.Cana kanë përformuar përtej shumicës së ambasadorëve të nominuar nga partitë e rendit të vjetër. Nuk është sekrete se të njëjtit kanë shërbyer si këshilltar apo në funksione të ndryshme gjatë kohës së kryeministrit Thaçi, por të tillë janë pothuajse të gjithë të tjerët në shërbim.

Znj.Çitaku meriton respekt për paraqitjet e saj në OKB karshi Daçiqit. Në fakt ishte një zë i fuqishëm gruaje ndërkohë që burrat e Kosovës po i serviloseeshin Daçit. Kishte të tillë që edhe po fotografoheshin me të me krenari ndërkohë që i njëjti po punonte aktivisht për jetësimin e Gjykatës Speciale.

4) Nevoja për shkundje të MPJ- mjafton të bëhet një hulumtim i vogël dhe kuptohet influenca e LDK dhe PDK dhe partive në pushtet në pothuajse të gjitha funksionet e MPJ, jashtë e brenda. Unë shpresoj që të kemi një rishikim rrënjësor në shërbimin diplomatik që afekton emërimet politike dhe të partive tjera, rishikon nëse burimet njerëzorë janë alokuar sipas prioriteteve të Kosovës, nëse ka një qasje afat-gjatë në politikë të jashtme dhe mbi të gjitha konsujt e nderit.