Arsenali e shkatërron Norwichin, Xhaka e shënon golin e parë personal të sezonit

Arsenali e ka shkatërruar 4:0 Norwichin, në një ndeshje në të cilën Granit Xhaka e shënoi golin e parë personal këtë sezon, duke i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Pierre-Emerick Aubameyang dy herë, Granit Xhaka dhe Sedric Soares nga njëherë shënuan në Emirates, për fitoren e dytë radhazi të skuadrës së Mikel Artetas.

Këto tri pikë të reja nënkuptojnë se Arsenali tani grumbullon 46 pikë në vendin e shtatë, gjashtë më pak se Manchester United në pozitën e pestë, e cila dërgon në Ligën e Evropës.

Për Norwichin, ndërkohë, disfata do të thotë shuarje e çdo shprese për të mbijetuar në Premierligë edhe sezonin e ardhshëm, pasi ngel në pozitën e fundit me gjashtë pikë më pak dhe një ndeshje më shumë se West Hami në pozitën e 17-të, e fundit që siguron biletën e mbijetesës.

Topçinjtë e dominuan skuadrën vizitore dhe kaluan në epërsi pas gjysmë ore lojë, falë një gabimi trashanik nga Tim Krul, nga i cili përfitoi Aubameyang duke shënuar në portën boshe.

Shtatë minuta më vonë, mesfushori nga Kosova Xhaka e dyfishoi epërsinë me një gol të bukur nga afërsia, i cili ishte i pari për të këtë sezon.

Aubameyang përfitoi edhe njëherë nga dobësia e mbrojtës së Norwich dhe shënoi për 3:0 në minutën e 67-të, para se Soares ta vuloste fitoren e Arsenalit më pak se dhjetë minuta para fundit me një goditje jashtë zone.

SHPËRNDAJE