Arsenali i pafuqishëm ndaj Man Cityt pa Granit Xhakën

Manchester City ka marrë pikët e plota në shtëpi, duke e mposhtur 3-1 Arsenalin në stadiumin “Etihad”.

Skuadra e Pep Guardiolës, Manchester City, i është rikthyer fitoreve në Premierligë, pas humbjes 2-1 në mes-javë nga Newcastle United, shkruan Gazeta Express.

Citizens triumfuan 3-1 ndaj Arsenalit të Granit Xhakës, ky i fundit mungoi për shkak të një shqetësimi, teksa Shkodran Mustafi luajti nga minuta e parë.

Ndeshja nisi siç është më së miri, me gol. Në sekondën e 46, Sergio Aguero zhbllokoi rezultatin duke realizuar për 1-0.

Pak minuta më vonë, në atë të 11-të, sfida u bë edhe më e nxehtë, Arsenali barazoi gjithçka me anë të kapitenit, Laurent Koscielny.


Por, duket se ky gol i mysafirëve vetëm sa i zgjoi vendasit, që pa shkuar në pushim të pjesës së parë rikthyen epërsinë. Ishte sërish sulmuesi, Aguero, ai që realizoi për vendasit (42’), për 2-1.


Për të kompletuar një natë magjike me spektakël, u përkujdes edhe njëherë Aguero, duke kompletuar het-trikun në minutën e 62’, për 3-1, që doli të jetë rezultati përfundimtar i takimit pasi pavarësisht tentimeve të shumta nga të dyja skuadrat, portat nuk u tundën më.

Pas kësaj fitore, Man City ka shkuar në kuotën e 59 pikëve, vetëm dy më pak se Liverpooli, që të hënën përballet me West Ham Unitedin nga ora 21:00.

Kurse kjo humbje, e zbret Arsenalin në pozitën e gjashtë, me 47 pikë, një më pak se Manchester United që gjatë ditës së sotme mori fitore shumë të rëndësishme në udhëtim te Leicester City, duke triumfuar 0-1. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE