Arsyetimi i Madagaskarit për tërheqjen e njohjes: Po e ndihmojmë dialogun |Dokument

Në tekstin e Ministrisë së punëve të jashtme të Republikës së Madagaskarit thuhet se këtë akt e kanë ndërmarrë pas “shqyrtimit të situatës” e “duke dashur të ndihmojë dialogun mes Serbisë e Kosovës…”

Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Dacic ka prezantuar notën, e cila ka thënë se i ka arritur nga Madagaskari, shtet i cili e ka njoftuar se e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Mediat e farta me pushtetin serb, të cilat e vlerësonë këtë si të arritur të madhe të diplomacisë serbe, kanë publikuar edhe kopjen e notës së përmendur nga Dacic.

Në tekstin e Ministrisë së punëve të jashtme të Republikës së Madagaskarit thuhet se këtë akt e kanë ndërmarrë pas “shqyrtimit të situatës” e “duke dashur të ndihmojë dialogun mes Serbisë e Kosovës”:

“Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Madagaskarit i shpreh respekt Misnistrisë së punëve të jashtme të Republikës së Kosovës dhe me letrën e 24 nëntorit 2017 në lidhje me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Madagaskarit, ka nderin të kumtojë se, meqë në detaje e ka shqyrtuar situatën dhe duke dashur që me çdo kusht të inkurajojë dialogun, i cili edhe më tej po vazhdon ndërmjet Republikës së Serbisë dhe organeve të Kosovës krahas zbatimit të Rezolutës 1244 (1999), e po ashtu t’u ndihmojë palëve në dialog që të arrijnë zgjidhje politke të drejtë e të qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes së satusit të Kosovës, Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Madagaskarit ka marrë vendim që ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet i pavaru deri sa të mos përfundojnë bisedimet të cilat po zhvillohen nën patronatin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në notën e prezantuar nga mediet serbe.

Ministria e punëve të jashtme e Kosovës ende nuk është deklaruar rreth kësaj note të supozuar, ndërsa deri më tash i ka përgënjeshtruar lajmet serbe për tërheqjen e njohjeve.

Ndër faktorët ndërkombëtarë po ashtu është thënë se tërheqja e njohjes nuk njihet me të drejtën ndërkombëtare./GazetaMetro.net

SHPËRNDAJE