Arta e sëmurë rëndë fiton zemrat e zviceranëve me vullnetin e saj për jetë

Arta Shabani, vajza 16 vjeçe e cila vuan nga një sëmundje e rëndë e cila ia ka shkatërruar mushkëritë, po vazhdon të sfidojë me guxime e optimizëm sëmundjen e rëndë.

Çështja se a do të jetojë Arta apo do t`i dorëzohet sëmundjes, varet nga gjetja e një mushkërie të përshtatshme e cila do t`i transplantohej asaj.

Por, ajo tashmë është në garë me kohën: 4 mushkëri që i janë ofruar, pasi janë testuar nga mjekët specialistë, kanë rezultuar të papërshtatshme për Artën.

Kështu, lufta për jetë o vdekje po vazhdon dhe Arta duket mjaftueshëm e fortë për ta përballuar.

Babai i Artës, Burim Shabani, nga Komuna e Vitisë thotë për albinfo.ch se familjarët janë në gjendje të bëjnë çdo gjë për të mbijetuar Arta. Por duket se jo çdo gjë varet nga vullneti i tyre.

Ai falënderon nga zemra të gjithë njerëzit vullnetmirë që kujdesen dhe interesohen për jetën e vajzës së tij.

“Në veçanti falënderoj portalin albinfo.ch që e ka bërë të njohur rastin edhe në mesin e publikut shqiptar”, shprehet Burimi.

Një shkrim që e pati publikuar blick.ch para pak ditësh dhe të cilin e ka transmetuar edhe albinfo.ch, ka bërë që me rastin e Artës të sensibilizohet një numër shumë i madh i zviceranëve dhe të tjerëve.

Nga rreth 23 mijë ndjekës që ajo i kishte në rrjetin social instagram, për dy-tri ditë janë bërë 30 mijë sish dhe ngritja e numrit vazhdon. Ndërsa videoja e saj tashmë është klikuar mbi 50 mijë herë.

Artës i vijnë vazhdimisht mesazhe trimëruese të njerëzve të cilët krahas dhembjes për gjendjen e saj, shprehin edhe mahnitjen me vullnetin për jetë dhe vitalitetin që tregon vajza shqiptare.

Edhe në adresën e albinfo.ch, në faqen e saj të facebook-ut, janë paraqitur një numër i konsiderueshëm i lexuesve duke shprehur vullnetin për t`i dalë në ndihmë Artës. Ata kërkojnë informacione nëse kanë mundësi të dhurojnë mushkëritë e tyre për të mundësuar mbijetesën e vajzës së re.

Së fundi, Arta është bërë edhe një lloj ambasadoreje joformale e fushatës për sensibilizimin e njerëzve me dhurimin vullnetar të organeve.

Ajo, duke iu drejtuar publikut, me shkrim dhe me zë e figurë, trimëron ata që ende janë në mëdyshje nëse do të japin ose jo organet e tyre për transplantim.

Shefi i Swiss transplant, Franz Immer thotë se, vetëm në tri ditët e fundit, si rezultat i sensibilizimit të publikut me rastin e Artës, njerëzit kanë porositur 8000 libreza të reja për t`u bërë dhurues të organeve.

“Natyrisht, ne i trajtojmë të gjithë pacientët njësoj. Por mua më prek gjithsesi kur shoh se sa shumë njerëz luftojnë për jetën e një të riu, sikur në këtë rast, për jetën e Artës”, thotë Immer.