As një gjenerator rezervë – LIMAK rrezikoi ardhjen e Biden në Kosovë shkaku i rrymës

Në kohën e vizitës së ish- zëvendëspresidentit të ShBA-së, Joe Biden në Kosovë në vitin 2016, Aeroporti i Prishtinës kishte pësuar ndërprerje të rrymës.

Në këtë kohë ishte vënë në pah një mungesë problematike e këtij aeroporti pasi u vërtetua se nuk ka pasur gjenerator rezervë.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, në pjesën e dytë të hulumtimit mbi Aeroportin e Prishtinës u diskutua siguria në këtë aeroport.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

Kallëzuesi Ersen Shileku që ishte zv.Drejtor për Shërbime Operacionale në Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror (ASHNA) ka rrëfyer në këtë emision incidentet që sipas tij vunë në pah mungesën e sigurisë në këtë aeroport.

“Ka ndodhur një rast, menjëherë një muaj pasi kam filluar unë punën gjatë vizitës së Joe Biden kur e kemi pasur një ndërprerje të energjisë elektrike dhe kam filluar ti shtroj disa pyetje lidhur me atë se pse nuk e kemi një ‘back-up’ gjenerator”, rrëfen Shileku.

Shileku tregoi detajet e ngjarjes kur ai ishte alarmuar për mungesën e një gjeneratori rezervë.

“Vjen deri te ndërprerja e rrymës, ndodhi dikur rreth orës katër pasdite dhe nuk ndizet gjeneratori dhe e shoh se me UPS punojnë vetëm disa paisje dhe e shikojmë pse. Departamenti teknik e kishin një situatë kaotike. Mas gjysë ore aktivizohet gjeneratori..”, shtoi Shileku.

Dhe ky rast, sipas Shilekut nuk është i vetmi që ka ndodhur në aeroport në kohën sa ai kishte punuar aty.

“Rasti tjetër ka ndodhur në 2017 ka ndodhur një ndërprerje e energjisë në një pjesë tjetër, realisht kanë rënë të gjitha paisjet. Nënkupton që kemi qenë të obliguar të funksionojmë me masa emergjente. Aeroplani nuk mundet me komuniku me kontrollin e trafikut ajror “, tha ai

Në anën tjetër, Drejtori i ASHNA-s, Bahri Nuredini mohoi se në aeroport kishte pasur shqetësime të sigurisë në atë kohë.

“Gjeneratori është kthyer në shërbim Brenda 24 minutave, operimi nuk është ndalur asnjë minutë Unë kam caktuar personin kontaktues me zyrtarin nga Shtëpia e Bardhë dhe për atë periudhë na është dhënë një ‘certificate of appreciation’ , tha Nuredini.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE