As sot s’ka takim të grupeve punuese të VV’së dhe LDK’së për harmonizim të programit

Ani pse ende nuk janë numëruar të gjitha votat që e përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, tashmë kanë filluar bisedimet për formim të qeverisë së ardhshme. Dy partitë e radhitura të parat, Vetëvendosje e LDK, pas takimit që patën në nivel të liderëve paralajmëruan se do të emërojnë grupe punuese që do të merren me harmonizim të programeve. Megjithatë, një takim i tillë konfirmohet se nuk do të ndodhë sot.

LDK e Isa Mustafës, e Vetëvendosje e Albin Kurtit, qysh prej kohës kur dështuan në krijim të një koalicioni parazgjedhor, paralajmëruan se një të tillë do ta vazhdojnë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Tash kur ka një javë që nga gjashtë tetorit, nga të dy partitë, ka pasur një takim në nivel të liderëve. Albin Kurti, kreu i VV-së, së bashku me shefin e shtabit zgjedhor, Besnik Bislimin javën e kaluar u takua me të parin e LDK-së, Isa Mustafën e kandidaten e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Të dy palët pas takimit bënë të ditur para mediave se tashmë janë dakorduar për bashkëpunim, e që në ditët e ardhshme do të mbajnë takime në mes të grupeve punuese që do të krijohen në LDK e VV për harmonizim të programit.

Nga LDK kanë thënë tutje, se të njejtët do të presin edhe që të certifikohen rezultatet, pasi që fituesi do të dihet vetëm kur të përfundon numërimi i votës së fundit.

Për të biseduar për këtë temë, Mustafa të premten mbledhi edhe kryesinë, derisa, të njejtët dolën me qëndrim se do të presin që të numërohen të gjitha votat.

I njejti tha se pavarësisht kësaj takimet në mes të grupeve punuese do të vazhdojnë që të bëhet koordinimi i nevojshëm për bashkëpunim.

Megjithatë, një takim në mes të grupeve punuese nuk do të ndodhë sot. Kështu kanë konfirmuar për Gazetën Express nga të dy partië, LDK e Vetëvendosje.

Deri më tani në votat që janë numëruar Vetëvendosje vazhdon të radhitet si parti e parë me 25.50%, derisa, LDK e Isa Mustafës ka marrë 24.83%./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE