“Avdullah Hoti mos të ndjellë iluzione në publik me idenë për njohje nga Serbia“

Kosova dhe Serbia nesër në Bruksel do ta zhvillojnë takimin e radhës për dialogun.

Nga takimi i Uashingtonit, Kosova doli me njohje nga shteti i Izraelit, por nga ai i nesërm nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë.

Megjithatë, kryeministri Avdullah Hoti sot ka deklaruar se në Bruksel do të flitet për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke.

Njohës politikë po kërkojnë nga kreu i ekzekutivit që të ketë kujdes me deklarata, dhe të mos ndjellë iluzione në publik me idenë për njohje, pasi që sipas tyre, nuk ekziston aktualisht asnjë indikator për njohje reciproke.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi thotë për KP se të gjithë janë kureshtarë të shohin se si do të vazhdojë procesi i Brukselit, për arsye se siç thekson ai, takimi në Uashington e ka nxjerrë Kosovën nga një bllokim në të cilin ishte për një kohë të gjatë.

E që tani marrëveshja ekonomike e nënshkruar do të jetë referencë dhe impuls për procesin e Brukselit.

“Ajo që pres unë fillimisht është që vetë zyrtarët e Brukselit, përkatësisht Bashkimit Evropian duhet të ndërrojnë qasjen ndaj Kosovës, duke e marrë shumë më seriozisht si palë, se sa që e kanë marrë deri tash, sepse e vërteta është që deri më tash Kosova nuk është trajtuar si palë plotësisht e barabartë në kuadër të Bashkimit Evropian”, tha Krasniqi.

Ndër tjera, sipas tij takimi në Bruksel ka ngjashmëri të mëdha me procesin e Vjenës të vitit 2007 të planit të Ahtisaarit.

Ky proces sipas Krasniqit, mund të paraqes rrezik për Kosovën, meqë Serbia mund të marrë favore.

“Edhe atje edhe këtu janë trajtuar çështje të veçanta, konkrete. Pastaj gjithë ato janë paketuar në një marrëveshje finale, që është plani i Ahtisarit. E njëjta gjë, e njëjta rrugë po ndiqet. Dhe kjo në fakt paraqet rrezik për Kosovën, sepse mund të merr favoret Serbia nga marrëveshjet separate dhe mandej mos të pranojë marrëveshjen finale, siç ka bërë në planin e Ahtisaarit. Dhe në atë rast Kosova do të dilte e tradhtuar dhe me obligimet që i merr ndaj Serbisë, por pa favoret që do i merrte nga një marrëveshje”, tha Krasniqi.

Në takimin e ekspertëve e ku do të jenë prezent edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë ditës është raportuar se do të hapet edhe tema e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në lidhje me këtë çështje, profesori universitar Milazim Krasniqi konsideron se kurdo që do të diskutohet çështja e themelimit të asociacionit, është obligim ndërkombëtar i Kosovës, por në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Pjesë e delegacionit janë Shqiprime Dërvisholli, Muhamet Mustafa, Ibrahim Makolli dhe Gazmend Qorraj, të cilët kanë shkuar të premten në Bruksel për të përgatitur takimin e së hënës mes Hotit dhe Vuçiqit.

KosovaPress ka kontaktuar me disa prej tyre, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin në lidhje me agjendën e takimit të së hënës.

Ndërkohë që gjatë ditës kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se të hënën me Serbinë do të takohen në Bruksel për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke.

E, që sipas tij nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme apo kreative që nuk e zgjidh problemin.

“Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë”, ka shkruar ai.

Për këto deklarata të Hotit, pati kritika profesori universitar Milazim Krasniqi.

Ai kërkon nga ky i fundit që të mos ndjellë iluzione në publik në idenë për njohje.

“Ai duhet të disiplinojë retorikën e vet, sepse ka përgjegjësitë si kryeministër. Dhe nuk është korrekte që të ndjellë iluzione në publik me idenë për njohje. Sepse asnjë indikator tash për tash për njohje reciproke nuk ekziston. Nuk ekzistoj as në takimin në Uashington, aq më pak mund të ekzistojë në procesin e Brukselit. Prandaj duhet të fokusohet në atë që është real-politik dhe të mos konsumojë autoritetin e vet në deklarata që nuk kanë mbulesë”, deklaron ai.

Veç tjerash, Krasniqi për KosovaPress thotë se nuk është në proces njohja nga Serbia, megjithatë sipas tij do të duhej të ndodhte një tërmet i madh politik, e kombëtar në Serbi që të njihej Kosova si shtet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sipas mediave serbe ka theksuar se bisedimet do të zhvillohen rreth tri çështjeve të rëndësishme, të zhdukurit, të zhvendosurit dhe ekonomia.

Në lidhje me këtë proces, analisti politik Dorajet Imeri thekson për KosovaPress se pala kosovare ka një pozicion të dobët në raport me Serbinë. Derisa shton se Serbia do të kërkojë ekstra territorialitet.

“Në fakt nga fillimi i negociatave vetëm marrëveshja diskutohet, parimisht besoj se një element i tillë do të negociohet, pra variante, skenarë, plane, ide, projekte, modele, diskutohen derisa palët bien dakord për njërën nga. Pala kosovare ka një pozicion të dobët në raport me Serbinë, ndoshta në raport me të gjitha bisedimet e deritanishme, pasi ajo do të duhet ta negocion kompromisin, pra pakon e Ahtisaarit. Serbia do të kërkojë ta kapitalizojë skajshmërisht epërsinë e saj, pasi përmes kishës do të kërkojë ekstra territorialitet, përmes asociacionit pushtetin e tretë, ndërsa përmes dominimit demografik në veri, synon qasje në resurset e mëdha atje”, tha Imeri për KosovaPress.

Sipas tij, Serbia nuk do të pranojë marrëveshje që nuk i përshtatet asaj.

“Serbia nuk do ta pranojë marrëveshje që nuk i përshtatet asaj, pasi është treguar e zgjuar në përballimin e presionit, ndaj Kosovës përherë ka ushtruar politikën e stërzgjatjes së kontekstit, duke pritur ndërrimin rrethanave të politikës botërore dhe aktorëve të saj. Kjo edhe ka funksionuar”, shton Imeri në një përgjigje me shkrim.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi thotë se anëtarët e delegacionit kosovar duhet të jenë më modest në deklaratat e tyre, dhe më të njoftuar me proceset në Ballkan. Sipas tij, këta të fundit duhet të pozicionojnë veten dhe shtetin që përfaqësojnë në vijën e partnerëve strategjikë, siç janë NATO, SHBA dhe BE.

Takimi në nivel të ekspertëve dhe ai i nivelit të lartë vijnë pas takimit ku Kosova dhe Serbia patën të premten në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku prezent ishte edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.