Avokati i Haki Rugovës: Sot krim bëri Prokuroria dhe jo Haki Rugova

Besnik Berisha i cili është avokat i kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës, ka bërë një prononcim për media pas seancës dëgjimore që zgjati 3 orë ndaj të mbrojturit të tij.

Sipas tij, Haki Rugova është duke u persekutuar nga Prokuroria dhe se dëmi që po i shkaktohet atij është i pariparueshëm.

“Lajmi është se Haki Rugova tani shkon në shtëpi, Një fjali që e kam thënë sot është se krim s’ka bërë Hakia, por Prokuroria”.

“Arrestimi i tij është tërësisht i kundërligjshëm. Sot pasdite do të ketë një konferencë ku do të shpaloset gjithçka që pretendon prokuroria”.

“Ajo që do të lexoni në shkresa do të vejë në pikëpyetje objektivitetin e Prokurorisë e cila duhet të jetë e ndëshkueshme”.

“Seanca është vonuar për shkak se me të pranuar kërkesën e Prokurorisë, ia kam shpërfaqë pafytyrësinë e ndjekjes. Prokuroria ka prezantuar fakte të falsifikuara”.

“Një hetim urgjent do të kërkohet nga Prokuroria Speciale sepse kjo Prokurori nuk është kompetente për të bërë arrestimin e Rugovës”.

“Ai është persekutuar. Ajo çfarë është bërë nga Prokuroria është dëm i pariparueshëm për Rugovën”.