Bahtiri: Beogradi qe 20 vjet pretendon që ura e Ibrit ta ndajë Kosovën me Serbinë (Video)

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Serbia ka pretenduar, për këto 20 vite që vijën ndarëse në mes Kosovës dhe Serbisë, ta ketë urën e Ibrit.

Bahtiri ka thënë se prej ardhjes së tij në krye të Komunës incidentet ndërnacionale janë ulur dukshëm, pasi përmes tensioneve dhe vendosjes të barrikadave është zhvilluar dhe kontrabanda për pasurimin e njerëzve të caktuar.

“Serbia nuk mund ta përpijë atë që ka pretenduar që 20 vite, se vija e ndarjes do të jetë ura e Ibrit. Prej ardhjes sime, e deri tani, krimi ka ra 55.7 për qind, dhe zbulimi i krimit është 72.7 për qind, në Mitrovicë. Jo vetëm unë, por çdo kryetar mundet me kallë Mitrovicën, dhe unë s’kam dashur ta bëj një gjë të tillë pasi kam dëshiruar paqen. Paqja vjen me bisedime në tavolinë. Për gjashtë vite janë bërë 7 incidente ndërnacionale, e jo 9,876 incidente para se të vija unë. Më parë kanë bërë tensione për qëllime të caktuara, vendosja e barrikadave dhe fillimi i barrikadave. E, dikush u pasurua”, tha ai.

Lirimi i urës, siç tha Bahtiri është nënshkruar në Bruksel, dhe ky vendim ekziston.

“Vendimi i Brukselit është i qartë. Unë nuk mund të veproj sepse jam kryetar i jugut, dhe për këtë duhet të veprojë Qeveria, sa më shpejt që është e mundur”, u shpreh kryetari i komunës së Mitrovicës.

Ai po ashtu foli edhe për vendimin e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Bahtiri potencoi se ky vendim duhet të rishikohet dhe njëherë, si dhe të bëhet pezullimi i saj prej periudhës 3 muajshe, derisa të përfundojnë bisedimet Kosovë-Serbi.

“Serbia e ka merituar me qindra herë për t’ia vendosur taksën, sepse Serbia e ka dëmtuar shumë Kosovën. I patë edhe dy veprimet e fundit të liberalizmit të vizave dhe Interpolin, se si lobuan ata që Kosova mos t’i fitoj. Qytetarët janë ata që e ndëshkojnë Serbinë, e jo vendimet. Vendimet e marrura duhet të rishqyrtohen, sepse nëse kushtëzohet Kosova nga miqtë ndërkombëtarë dhe kërkohet nga ta, ne duhet t’i përgjigjemi pozitivisht, duke pezulluar taksën deri në përfundimin e dialogut Kosova – Serbi.

Këtë Kosovë të lirë  e kemi të përbashkët me miqtë tonë, sepse ne nuk kemi mundur ta lirojmë pa ta. Kisha propozuar që të pezullohet taksa për tre muaj dhe të përfundojnë këto bisedime, sepse gjithçka është e kompletuar se çka duam ne, e çka ata”, ka thënë ndër të tjera kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. /Telegrafi/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE