Bahtiri e Tahiri me reagim të përbashkët, kërkojnë nga PDK-ja që mos politizoj procesin e përzgjedhjes së drejtorëve për Spitalin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nëpërmjet një reagim të përbashkët kanë shprehur shqetësimin lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të Spitalit të Mitrovicës dhe Spitalit të Vushtrrisë.

Bahtiri e Tahiri kanë kërkuar nga Qeveria, Kryeparlametari dhe Presidenti, që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e këtyre dy konkurseve, për të cilat thonë se Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, po tenton t’i emëroj dy persona nga PDK-ja dhe që nuk i përkasin fushës së shëndetësisë.

Kujtojmë se portali Veriu.info ka raportuar ekskluzivisht përmes dy shkrimeve lidhur me këtë proces.

Ja komunikata e përbashkët e lëshuar nga Agim Bahtiri dhe Xhafer Tahiri:

Shprehim shqetësimin tonë të përbashkët në lidhje me rastet e fundit të tentimit për politizim të spitaleve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, me çka po dëmtohet rëndë sistemi shëndetësor, i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur.

Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismaili të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të  subjektit politik PDK apo edhe familjar të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor.

I bëjmë thirrje PDK-së që t’i mbajë duart larg nga shëndetësia, sepse veprimet e tyre të fundit janë rrezik për sistemin shëndetësor të komunave tona me më shumë se 200 mijë banorë.

E kuptojmë panikun që e ka kapur PDK-në pas humbjeve në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, por që këto humbje nuk duhet të shërbejnë si arsye për t’i zaptuar institucionet e pavarura, e aq më pak institucionet e shëndetësisë.

Jemi shqetësuar me këtë gjendje, ku ShSKUK në koordinim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, është në prag të zgjedhjes për drejtorë të Spitalit të Mitrovicës dhe Spitalit të Vushtrrisë,  dy persona që asnjë ditë pune nuk e kanë në sistemin shëndetësor e as që kanë shkollim për shëndetësi, por që të vetmen ‘meritë’ e kanë se i kanë shërbyer PDK-së për shumë vite. Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asambleist i PDK-së dhe ish drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit.

Iu bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve.

Anulimi i këtij konkursi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin specialistët më të devotshëm të shëndetësisë, do t’ia kthente dinjitetin sistemit shëndetësor dhe shpresën qytetarëve se mund të trajtohen profesionalisht në spitalet e tyre, e jo të marrin rrugë drejt spitaleve të shteteve rreth nesh.

Sinqerisht,

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Juristët e PDK-së mposhtin doktorët për drejtorë të Spitalit të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë (Dokument)

 

PDK po synon udhëheqjen e të Spitalit në Mitrovicës përmes gruas së këshilltarit të Kadri Veselit ose kandidatit për asamble