Bahtiri iu del në përkrahje minatorëve për grevën, kërkon nga Qeveria t’ua paguaj pagat

Pas futjes së minatorëve të Trepçës në grevë për shkak të mos-marrjes së pagave ka reaguar kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili iu ka dalë në përkrahje.

Bahtiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua jap pagat këtyre punëtorëve të gjigantit më të madh ekonomik, siç e ka quajtur ai Trepçën

Reagimi i Agim Bahtirit:

Ndërmarrja me të cilën dikur krenohej e gjithë Kosova, sot gjendet në një situatë mjaftë të rëndë si pasojë e keqmenaxhimit nga drejtues të emëruar prej partive politike tash e 20 vite.

Fatkeqësisht tash shohim se minatorët nuk po i marrin as pagat e tyre, me të cilat mbajnë familjet. Kjo gjendje i ka detyruar të hyjnë edhe në grevë, gjë që kanë plotësisht të drejt.

Nga sindikata e punëtorëve mësova se rreth 1000 punëtorë i kanë marrë 70% të pagës së janarit, ndërsa 400 të tjerë nuk kanë marrë asnjë cent nga paga e janarit. Në vend se tash të ekzekutoheshin edhe pagat e shkurtit, ata nuk i kanë marrë as pagat e janarit. Për këtë gjendje dëshpëruese duhet dhënë përgjegjësi menaxhmenti ekzekutiv dhe Bordi i Drejtorëve, si dhe Qeveria e paligjshme që i ka emëruar.

Nëse i ka mbetur vetëm pak përgjegjësi e ndërgjegje kësaj Qeverie në ikje, i kërkoj t’ua paguaj pagat minatorëve që janë punëtorët më meritor të Kosovës dhe të mos tallen me ta, e jo të shpërndaj para për kompani private.

Sapo të formohet zyrtarisht Qeveria me në krye Albin Kurtin, do të ndërrmerren hapa konkret në zhvillimin e “Trepçës”, ku minatorët do të jenë krenar që janë pjesë e gjigantit më të madh ekonomik të Kosovës.