Bahtiri: Nuk do lejoj që fshati Vllahi të jetë nën administrimin e shtetit serb

Në shkollën fillore “Jashar Begu” në fshatin Vllahi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka takuar banorët e këtij fshati, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me deklarimet e fundit të disa politikanëve por edhe me publikimin e një harte ku sipas ndarjes së re pas “Marrëveshjes Finale me Serbinë”, fshati Vllahi do të mbetej nën administrimin e komunave veriore, respektivisht të Serbisë.

Kryetari i këshillit të fshatit Vllahi, Ramadan Ademi, ka paraqitur shqetësimet e banorëve. Ai ka thënë se fshati Vllahi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Zveçanit por gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës.

“Brengosja e banorëve të fshatit Vllahi ka të bëjë me temën e shkëmbimit të territoreve, dhe prania e disa personave të panjohur të cilët po shfaqen në territorin tonë me qëllime të panjohura duke sjellë pasiguri tek banorët e fshatit Vllahi do mbetej nën administrim të shtetit të Serbisë. Ky rajon ka pasuri të mëdha nëntokësore të cilat na i ka dhuruar Zoti, dhe ne nuk do të lejojmë askënd që ti prekë e lë më ti marrë ato, sepse Vllahia nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Zveqanit por gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës”, ka thënë Ademi.

Banorët e tjerë të fshatit kanë shprehur shqetësimet e tyre duke theksuar se se si ditët e fundit po ka vizita nga persona të panjohur të cilët po prezantohen si shtetas të huaj por që po flasin gjuhën serbe.

Dyshimi kryesor thonë ata se qëndron në interesimin e Serbisë për nëntokën e Vllahisë dhe të Zijaçës në të cilat deri tani janë bërë 37 shpime hulumtuese dhe kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme në tregun botërorë.

Po ashtu Zenel Hajdari, banor i fshatit Zijaç e përmendi edhe faktin që para dy muajsh në fshatin Vllahi janë gjetur disa shenja të panjohura për të cilat pastaj Agjensioni Kadastral konfirmoi se janë bërë nga ta. Kjo edhe më shumë i bën dyshues banorët e Vllahisë për një skenar të padëshirueshëm për fshatin e tyre.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, theksoi para të pranishmëve se arsyeja e këtij tubimi ka lindur pikërisht me kërkesën tuaj ndërsa ne iu kemi përgjigjur asaj kërkese si institucioni më i afërt për ju për të parë shqetësimet tuaj, dhe në këtë mënyrë ne do ti delegojmë ato deri në nivelin qendror.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi dëgjoi të gjitha mendimet e banorëve nga katër fshatrat, ai në fjalën e tij tha se është kënaqësi e veçantë që është në mesin e shaljanëve, për të cilët gëzon respekt të madh ndaj tyre për fjalën dhe besën që kanë.

“Nuk ka të drejtë askush, madje as presidenti të ngrit çështjen e shkëmbimit të territoreve sepse për këtë vend është derdhur shumë gjak. Iniciativa e presidentit është e gabueshme, dhe këtë gjë ia kam thënë disa herë sepse çështja e Kosovës është shumë specifike dhe si e tillë është trajtuar edhe ndërkombëtarisht. Ne e gëzojmë një shtet të pavarur dhe sovran të cilin nuk na ka falur askush por atë e kemi fituar duke luftuar për treqind vite me radhë. Po ju garantoj se deri sa unë të jem kryetar i komunës së Mitrovicës, nuk do të lejojë asnjëherë që fshati Vllahi e as fshatrat tjera që pretendon ti marrë Serbia të jenë nën administrimin e saj, por përveç kësaj do ta liroj edhe Urën e Ibrit pa asnjë kusht të vetëm”, tha Bahtiri.

Edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha se në emër të degës së LDK-së do ta ngrisin zërin dhe do ta adresojnë këtë çështje deri tek institucionet qendrore

SHPËRNDAJE