Bahtiri nuk dorëzohet, nënshkrimet për bashkimin e Mitrovicës ia dorëzon edhe Thaçit

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ditë më parë mori iniciativën që të mbledh nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.
Peticionin me nënshkrime, ditë më parë Bahtiri e dërgoi te kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kurse, Bahtiri ka njoftuar se nesër do të dorëzoj peticionin me nënshkrime te presidenti i Kosovës, Hashim Thaci.

“Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, të enjten me datën 21.02.2019, në ora 10:00 do të dorëzoj peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës me 16,594 nënshkrime të qytetarëve tek Presidenti i Republikës së Kosovës, me ç’rast do të kërkoj mbështetjen e tij që të miratohet kjo nismë e ndërmarrë nga vetë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Kujtojmë se sot në media u raportua se ideja e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri që të bashkohet Mitrovica, nuk ka gjetur përkrahje në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Përmes një vendimi, kjo ministri ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës jugore për bashkim me atë veriore.

Iniciativa e Bahtirit, është përcjellë edhe me një peticion të nënshkruar nga rreth 17 mijë qytetarë të Mitrovicës Jugore, për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave.

MAPL përmes këtij vendimi, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të refuzojë nismën legjislative meqë nuk i përmban kushtet dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin për Nisma Legjislative.

Inicimi i peticionit të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Jugut, nga ana e kryetarit Agim Bahtiri pasoi dorëheqjen e katër kryetarëve serbë të komunave veriore të Kosovës.

Peticioni me nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, më 16 janar i ishte dorëzuar Kuvendit të Kosovës.