Bahtiri organizon tryezë me partitë për kundërshtimin e tendencave për ndarjen e Kosovës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për të hënën ka organizuar një tryezë me partitë politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku do të diskutohet se si të kundërshtohen tendencat për ndarjen e Kosovës, transmeton Veriu.info. 

Bahtiri thotë se duke parë që disa zhvillime të kohëve të fundit lidhur me situatën në vend në përgjithësi, po shkojnë në drejtim të kundërt me interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, ai  ka caktuar për të hënën (23.07.2018) një tryezë me partitë politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të OJQ-ve dhe intelektualët e qytetit, ku do të bisedohet për këto zhvillime dhe për aktivitetet e nevojshme për t’i kundërshtuar ato. 

“Deklaratat e liderëve të vendit se në bisedimet me Serbinë nuk do të ketë vija të kuqe, janë paralajmërime ogurzeza për të ardhmen e Kosovës, që nënkuptojnë edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës. Meqë situata është tepër serioze, ajo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit për të kundërshtuar fuqishëm tendencat e këtilla, e të cilat janë aspirata të kamotshme të Serbisë”, citohet të ketë thënë kryetari Bahtiri.

“Prandaj, kryetari Bahtiri i fton përfaqësuesit e institucioneve, liderët e të gjitha partive politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të OJQ-ve e asociacioneve të ndryshme dhe personalitetet me autoritet e ndikim, që të marrin pjesë në këtë tryezë dhe të japin kontributin e tyre për parandalimin tendencave të tilla, të cilat janë në kundërshtim të plotë me interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij.

Në këtë tryezë do që të bisedohet për hapat e mëtutjeshëm të kundërshtimit të idesë së ndarjes dhe mundësisë të arritjes së dakordimit për organizmin e një proteste gjithë-popullore gjatë ditëve të ardhshme. 

Tryeza do të mbahet në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 12:00”, thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës./Veriu.info

SHPËRNDAJE