“Bajgorë, Llapashticë, Majac, Potok”: Gjykata Speciale e akuzon Krasniqin se kreu krime lufte thuajse në çdo komunë të Kosovës

Teksa po vazhdon senaca e Dhomave të Specializuara kundër Jakup Krasniqit, ky i fundit po akuzohet se ka kryer krime lufte thuajse në secilën komunë të Kosovës.

Sekretarja gjatë kësaj seance ka treguar kohën dhe vendin, ku pretendohet se janë kryer këto krime.

“Këto krime u kryen mes prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore, ndër të cilat në Bajgorë, Llapashticë, Majac, Potok, Drenoc, Malet e Berishës, Llapushnik dhe vende të tjera në komunën e Drenasit, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë dhe në komunën e Kaçanikut, Skënderaj, Malishevë, Klinë, Novobërdë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti dhe në Shqipërinë e Veriut. Krimet u kryen kundër popullatës civile, kishin në shënjestër kundërshtarët që nuk përkrahin UÇK, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me LDK’në,”, është thënë në këtë seancë.

Ndryshe, gjyqtari i seancës ka lexuar akuzat që rëndojnë mbi Krasniqin.

“Aktakuza e konfirmuar përfshin 6 akuza kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerzore, torturë, vrasje, dhe zhdukje me forcë e njerëzve.

4 akuza për krime lufte, ndartim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje e paligjshme.”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Krasniqi u arrestua të mërkuren e javës së kaluar nga policia e EULEX’it, pas një bastisje që zgjati për 10 orë në shtëpinë e tij.