Banka Botërore: Kosova do të pësojë rënie ekonomike prej 4.5 përqind për shkak të pandemisë

Banka Botërore do të publikojë raportin e saj për Ballkanin Perëndimor.

Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021.

“Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora.

Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën gjatë këtyre kohërave të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, ka thënë Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

“Pas aprovimit nga Banka Botërore, është i nevojshëm nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes nga Qeveria si dhe ratifikimi nga Kuvendi për të siguruar që fondet janë në dispozicion për të përfituar Kosova dhe qytetarët e saj”.

Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh, që është mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19.

Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare, përfshin ristrukturimin e projekteve tashmë të aprovuara për të mobilizuar fondet në mbështetje të NVM-ve, si dhe mbështetje buxhetore për rimëkëmbjen ekonomike dhe për t’i ndihmuar autoritetet që të plotësojnë nevojat e tyre të financimit.

SHPËRNDAJE