Bankat ua “pinë” gjakun qytetarëve, marrin para edhe nga vitrat

Të punësuar e të papunë, studentë e pensionistë tashmë duhet të ndajnë më shumë para nga xhepat e tyre për të kryer ndonjë shërbim në bankat komerciale në Kosovë. Madje, edhe nëse jepni të holla për bamirësi përmes bankave, një pjesë e sadakasë shkon si pagesë për banka.

Të dhënat e ndryshme të publikuara kohë pas kohe tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të jenë më të varfrit në rajon dhe Evropë.

Por, këta varfanjak me pagesat e tyre po rrisin vit pas viti fitimet milionëshe të bankave.

Bankat përveç fitimeve të mëdha nga normat e larta të interesit për kredi, tashmë po fitojnë edhe me rritjen e tarifave për gjitha shërbimet bankare.

Madje, edhe nëse jepni të holla për bamirësi përmes bankave, një pjesë e sadakasë shkon si pagesë për banka.

Një rast të tillë e tregon edhe Haxhi Zariqi, qytetar nga Prishtina, i cili ka thënë për FaktePlus se është çuditur kur i është kërkuar të bëjë pagesë për bankën në rastet kur ka deponuar disa të holla për bamirësi.

“Në Ramazan kur kam pagu për vitra, më thanë ta bëjë një pagesë për shërbimin e bankës. Edhe tash para dy jave kur deponova disa të holla në xhirollogari të SOS fshatrave për fëmijët jetim, kam pagu për bankën. Se bankat edhe prej vitrave e sadakasë po marrshin pare, mend se kam ba”, ka thënë ai.

Kurse R. Sh. tregon se për një deponim – pagesë prej 10 eurosh që ka bërë në njërën nga bankat komerciale i është dashur të paguante 5 euro. Për të kjo është e papërballueshme.

“Këto tarifa janë të papërballueshme. Në bankën që deri tash kam qenë kliente kanë filluar të ndryshojnë dhe të rrisin çmimin e shërbimeve. Do të shikoj e të ndërroj bankën nëse tjerat janë më të lira, sepse me të vërtetë çmimet janë shumë të larta”, është shprehur ajo, duke shprehur mllefin dhe kërkuar nga shteti një zgjidhje.

Tarifa të larta për shërbimet bankare kanë caktuar të gjitha bankat komerciale në Kosovë. Çmime të tilla ka edhe në shërbimet bazike për klientë. Tërheqja e të hollave në sportel, ka çmimin prej 1 euro në NLB, kurse 2.5 euro në Raiffeisen Bank, dhe shkon deri në 5 euro në ProCredit Bank.

Edhe në shërbimet e tjera, si ai i mirëmbajtjes, çmimet nuk janë hiç më të ulëta. Për të mirëmbajtur xhirollogarinë në këto banka, duhet bërë pagesa nga 1 euro në NLB, prej 1.99 euro në Raiffeisen Bank, ndërsa në ProCredit Bank çmimi është 5 euro.

Tarifa të tilla prej 1 e më shumë euro për shërbime kanë edhe bankat tjera komerciale në Kosovë. Madje, vetëm për deponimin e parave të imta (metalike) thuajse në të gjitha bankat, tarifa është 5 për qind e shumës deponuese.

Këto tarifa të larta, nuk mund të kontrollohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), zyrtarët e së cilës në një përgjigje dhënë për FaktePlus arsyetohen se çmimet e shërbimeve bankare bëhet nga vetë bankat.

“Përcaktimi i tarifave për shërbimet bankare bëhet nga vetë bankat në përputhje me politikat e tyre afariste”, tha zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Kur bëhet fjalë për këto tarifa, e tëra që mund të bëj BQK-ja sipas Ahmetit është detyrimi që këto banka t’i shpalosin tek klientët e tyre të gjitha çmimet e produkteve.

“BQK-ja përkujdeset që bankat t’i shpalosin tek klientët e tyre të gjitha kostot që ndërlidhen me produktin specifik në funksion të transparencës së plotë”, tha ai.

BQK, po ashtu, nuk mund të ndërhyj në dallimet e tarifave që kanë bankat, duke nënkuptuar këtu tregun e lirë dhe konkurrencën.

“Dallimet e tarifave ndërmjet bankave të ndryshme mund të konsiderohen si efekt i konkurrencës në sektorin bankar, e cila bën që klientët të mund të kenë më shumë mundësi të zgjedhjes se nga cila banka dëshirojnë t’i shfrytëzojnë shërbimet financiare”, nënvizoj Ahmeti.

Bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të janë ndër bizneset më të qëndrueshme, por edhe shumë profitabile. Madje, ky biznes ka dalë të jetë edhe më profitabili në rajon. Vetëm gjatë vitit 2017 bankat në Kosovë kanë arritur të fitojnë rreth 90 milionë euro.

Kurse, të dhënat e ndryshme të publikuara kohë pas kohe nga institucione të vendit e ndërkombëtare, tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë më të varfrit në rajon dhe Evropë. Të ardhurat mesatare për kokë banori në Kosovë, janë më të voglat krahasuar me gjithë shtetet e rajonit./FaktePlus

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE