Barcelona – Juventus, Ronaldo kërkon të thyejë “mallkimin” ndaj Messit

Juventus përballet me Barcelonën të martën në Camp Nou me Cristiano Ronaldo i cili kërkon golin e tij të parë në Champions League kundër Leo Messi.

CR7 nuk ka shënuar kurrë kundër Leo Messi në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, ndërsa argjentinasi ka realizuar tre herë në pesë përballjet që kishin.

Dyshja do të takohet në Camp Nou nesër në mbrëmje në takimin e parë që kur Ronaldo u largua nga Real Madrid për t’u bashkuar me Juventusin në verën e vitit 2018.

Ronaldo dhe Messi luajtën 33 ndeshje ndaj njëri tjetrit deri më tani. Argjentinasi ka fituar 15 prej tyre duke shënuar 21 gola. Ronaldo shënoi 18 gola dhe ka fituar nëntë ndeshje në të gjitha garat kundër yllit të Barcelonës deri më tani.