Basha pret zv/kryeministrin e Kosovës Pacollin: Integrimi është interesi ynë kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës Behxhet Pacolli.

Takimi u zhvillua në një frymë vëllazërore dhe u diskutuan çështje të interesit të përbashkët.

Basha e uroi Pacollin për detyrën e rëndësishme dhe e siguroi se Partia Demokratike do të jetë në mbështetje dhe në bashkëpunim të plotë me qeverinë e re të Kosovës dhe i uroi sukses në përballimin e sfidave të shumta në interes të Kosovës dhe popullit të saj.

Gjatë takimit kreu i PD-së bëri një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku vuri theksin te nevoja jetike për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të vendit, ku me rëndësi kyçe janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Basha theksoi se për Partinë Demokratike, integrimi europian dhe interesi kombëtar do të jenë shtyllat kryesore të çdo qëndrimi të PD-së.

Basha theksoi se mbështet dhe nxit integrim sa më të thellë mes Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë kuadër përshëndet vullnetin për bashkim doganor, por theksoi se kjo bëhet me një angazhim të thellë e të plotë dhe jo sipërfaqësor.

Basha theksoi se Partia Demokratike do të mbështesë me çdo kapacitet diplomacinë e Kosovës me sfidat e saj ndërkombëtare të anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë. ?

 

Image