Batatina: Nëse ndodhë kjo gjë, do të ishte dëm i madh për klubet kosovare

Kanë kaluar disa javë që prej edicioni aktual në Superligën e Kosovës në futboll është pezulluar deri në njoftimin e radhës, për shkak të pandemisë COVID-19, që ka kapluar botën.

Deri tash, në Kosovë janë infektuar mbi 140 persona, teksa tre kanë ndërruar jetë, dhe Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë masa izolimi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në mesin e këtyre masave është edhe pezullimi i ngjarjeve sportive, ku përfshihet edhe futbolli.

Futbolli kosovar, përkatësisht Superliga e Kosovës, ishte në një fazë tejet interesante ku skuadrat si Ballkani, Drita, Gjilani dhe FC Prishtina ishin duke luftuar me ‘mish e me shpirt’ për titullin e kampionat.

Si këto katër klube, ashtu edhe klubet tjera që garojnë në elitë kanë shpenzuar shuma marramendëse për t’u përforcuar, gjë e cila rezultoi me një ngritje të cilësisë në kampionatin tonë.

Për shkak të pandemisë COVID-19, e njohur ndryshe si koronavirus, është përmendur edhe mundësia e anulimit të këtij edicioni, ashtu siç bëri Belgjika, por që pasojat te ne mund të jenë tejet të mëdha.

Njohës të futbollit kosovar mendojnë se në rast se ndodhë një gjë e tillë, atëherë të gjitha investimet e bëra nga klubet kosovare, do të shkonin ‘huç’.

Për ta diskutuar këtë çështje, Zëri.info ka biseduar me ish-presidentin e Feronikelit, Ekrem Elshani, i cili kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm te drenicasit, si dhe me trajnerin dhe donatorin e Llapit, Tahir Batatina.

Se do t’i shkaktohej një dëm i madh klubeve kosovare anulimi eventual i këtij edicioni, mendon edhe trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

Batatina mendon se nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë duke marrë parasysh investimet e bëra.

“Mendoj se do të ishte një dëm i madh dhe një humbje e madhe, por më gëzon fakti se ka filluar të stabilizohet situata dhe nuk po ndodhë që skuadrat tona të mos përfaqësohen në Evropë duke ditur investimet tona”, ka thënë Batatina për Zëri.info.

“Nëse Federata së bashku me MKRS-në e komunat nuk i ndihmojnë klubet, do të bie niveli i ligës pasi skuadrat nuk do të munden t’i përballojnë shpenzimet. Futbolli do të ketë rënie në cilësi dhe në ngritje. Ishim duke ecur në rrugë të mirë”, përfundoi ai.

SHPËRNDAJE