BE-ja godet veteranët e UÇK-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët janë pjesë e skemës pensionale rrezikojnë stabilitetin financiar të shtetit. Në një përfundim të tillë kanë arritur edhe institucionet më të larta të Bashkimit Europian.

Në Raportin e Progresit për Kosovën për 12 muajt e fundit që u publikua dje nga Komisioni Europian thuhet qartë dhe në disa raste që skema pensionale e veteranëve ka tejkaluar pritshmëritë dhe numri i madh i veteranëve që marrin pensione po i rrezikon paratë publike.

Në dokumentin me 90 faqe, një prej institucioneve më të larta të BE-së – Komisioni Europian – në kapitullin ku analizohet Qeverisja Ekonomike në Kosovë, thuhet që paratë që marrin veteranët vazhdojnë të jenë sfidë për buxhetin e shtetit.

“Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2017, qeveria e re u përkushtua në rritjen ekonomike dhe në zhvillim, me fokus të veçantë në prodhim dhe shërbime. Megjithatë, kostoja e madhe e skemës pensionale të veteranëve të luftës nuk është menaxhuar si duhet, duke e stërngarkuar buxhetin”, thuhet në Raportin e Progresit të paraqitur dje në Bruksel.

“Buxheti për pensionet e veteranëve ishte tejkaluar më 2016 dhe 2017 për shkak të numrit të madh të veteranëve, që është dyfish më shumë se numri i pritur”, thotë BE-ja.

Tutje, Raporti i Progresit nënvizon se qeveria e Kosovës i jep prioritet stabilitetit fiskal dhe agjendës së reformave, por implementimi i këtyre reformave vazhdon të jetë sfidë dhe shqetësim për vendin.

“Në rishikimin e buxhetit për vitin 2017 skemës së veteranëve iu dhanë edhe 26.2 milionë euro, duke e ngritur shumën e përgjithshme për veteranët në 1% të Bruto Prodhimit të Brendshëm të Kosovës”, thotë Raporti, ndërsa nënvizohet që paratë e ndara për këtë qëllim në buxhetin e vitit 2018 mund të mos mjaftojnë.

Listat e veteranëve të luftës që marrin pensione nga shteti ka qenë një çështje shumë e diskutuar në Kosovë, pasi numri i njerëzve që marrin pensione në emër të luftës është shumë më i lartë se numri i njerëzve që morën pjesë në luftë.

Prokuroria e Shtetit kishte paralajmëruar që do të fillojë hetime ndaj njerëzve që kanë manipuluar me listat e veteranëve. Madje, ka pasur edhe ish-luftëtarë të UÇK’së të cilët kanë protestuar para qeverisë për zmadhim të listave dhe kanë kërkuar pastrimin e tyre.

SHPËRNDAJE