BE kundër Kodit të ri Penal për shpifjen dhe fyerjen

Zyra e BE’së në Kosova ka reaguar duke shprehur kundërshtim rreth propozimit për ndryshim të Kodit Penal sa i përket shpifjes dhe fyerjes.

Në këtë reagim thuhet se zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, “është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen”.

Aty thuhet se Kosova nuk duhet të bëjë hapa mbrapa në këtë drejtim.

“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim”.

“Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet”.

“BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane”, thuhet në fund të këtij reagimi të Zyrës së BE’së.

SHPËRNDAJE