Befason ish-deputeti i LDK-së: Bashkëpunimi i Osmanit me VV-në korrekt, në frymën e vullnetit të votuesve për ndryshim

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, sot kanë nënshkruar listën e përbashkët për garën në zgjedhjet 14 shkurtit.

Një bashkëpunim të tillë Osmani-Kurti po e sheh si korrekt edhe ish-deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi.

Rexhepi në një prononcim për GazetaBlic është shprehur se ky bashkëpunim, sipas tij, është i bazuar në frymën e ndryshimit në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

 “Bashkëpunim korrekt dhe mirëbesim i plotë politik dhe strategjik mes tyre, i dëshmuar dhe i bazuar në frymën  e mesazhit dhe vullnetin të votuesve nga zgjedhjet e vitit të kaluar, për ndryshim të qeverisjes dhe perspektivë të re zhvillimore si dhe forcimit të demokracisë në vend”, është shprehur Rexhepi për GazetaBlic.

Ndërkohë, sot është zyrtarizuar bashkëpunimi mes u.d., të presidentit të vendit, Vjosa Osmani dhe kreut të VV-së, Albin Kurti.

Në një konferencë për medie, lideri i VV-së, Albin Kurti është shprehur se marrëveshja është bërë në parime për synime politike.

“Presidentja në detyrë dhe unë, ish-kryeministri, me subjektet tona politike, do të na gjeni në të njëjtën vend dhe për të njëjtën qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, të cilën sapo e nënshkruam këtu para jush”, ka deklaruar Kurti.

“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re. Ne e kemi presidenten. Ajo e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet, e ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje, që janë referendum, duhet ta ri-legjitimojmë këtë”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Osmani, në anën tjetër ka thënë se marrëveshja e së enjtes përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Sipas Osmanit, bashkimi me Vetëvendosjen shkon përtej listës së përbashkët zgjedhore.

“Është bashkim rreth një kauze që ka synim një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Për dy dekada vendi ynë është drejtuar nga një mendësi politike e gabuar dhe për ta ndryshuar këtë ne do të garojmë së bashku në listën, e cila do të flasë me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë ashtu siç guxoni ju për t’i dalë ballë çdo sfide”, ka deklaruar ajo.