Befason Neymar, i kontakton Real Madridin, Juventusin, Bayernin e Man Unitedin

Mundo Deportivo raporton se Neymari e ka kuptuar se do ta ketë të vështirë të transferohet në Barcelonë dhe për këtë arsye i ka kontaktuar disa klube të tjera të mëdha të Evropës, si Real Madridin, Juventusin, Bayern Munichun dhe Manchester Unitedin.

Neymari vazhdon ta ketë vëmendjen e plotë të tifozëve të futbollit këtë afat kalimtar. Braziliani e dëshiron me ngulm largimin nga Paris Saint-Germaini dhe kthimi në Barcelonë është ende opsioni i tij i parë.

Megjithatë, ai tani po e kupton se sa e vështirë do të jetë që Paris Saint-Germaini dhe Barcelona të arrijnë marrëveshje mes vete për brazilianin dhe për këtë arsye, ai ia ka ofruar shërbimet e veta katër klubeve të mëdha – Real Madridit, Juventusit, Bayernit dhe Manchester Unitedit.

Kampi i Neymarit beson se Barcelona dhe PSG-ja nuk do të arrijnë marrëveshje mes vete për shkak të marrëdhënies së tensionuar mes dy klubeve, që shpeshherë janë zënë për shkak të transferimeve.

Barcelona ka mbetur e zhgënjyer në tentimet për t’i transferuar Thiago Silvan dhe Marquinhosin e PSG-së, e pastaj edhe në interesimin për Angel di Marian, Marco Verrattin dhe Adrien Rabiotin. Si rezultat, kushtet për negociata mes dy klubeve nuk janë të përsosura.

Për më tepër, paratë përbëjnë problem për Barcelonën. Pasi që katalonasit tashmë i kanë bërë dy transferime të shtrenjta gjatë këtij afati kalimtar – Frenkie de Jong për 71 milionë euro dhe Antoine Griezmann për 120 milionë euro – ata do të preferonin ta merrnin brazilianin me ofertë për shkëmbimin e lojtarëve.

PSG-ja nuk është e interesuar në ofertat për shkëmbim me lojtarë. Nëse ata do të pranojnë ta shesin Neymarin këtë verë, në shkëmbim duan para, madje shumë para. Presidenti i klubit të Ligue 1, Nasser Al-Khelaifi, dëshiron që të paktën t’i kthejë 222 milionë eurot e shpenzuara për Neymarin para dy vjetëve.

Megjithatë, as opsionet e dyta të Neymarit nuk janë edhe aq të thjeshta. Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është një adhurues që një kohë të gjatë i Neymarit, mirëpo shumë të tifozë të “Los Blancos” nuk e duan brazilianin.

Bayerni është në treg për sulmues anësorë, por gjermanët nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shumë të madhe parash për brazilianin. Ndërsa, Juventusi tashmë e ka një yll në skuadër, Cristiano Ronaldo, dhe shpenzuan shumë para për ta blerë Matthijs de Ligtin.

Së fundi, Manchester Unitedi mund ta përballojë në aspektin financiar transferimin e Neymarit, mirëpo vetë braziliani mund të mos jetë i gatshëm të shkojë në “Old Trafford”, pas që “Djajtë e kuq” janë jashtë Ligës së Kampionëve.

SHPËRNDAJE