Behgjet Pacolli: Duam menjëherë liberalizimin e vizave

“Ne duam menjëherë liberalizimin e vizave, sepse ne nuk duam që të rinjtë tanë, që njerëzit e biznesit, të ndihen të izoluar, të diskriminuar në nivel evropian”.

Kështu i ka thënë zëvendëskryeministri njëherit ministër i jashtëm Behgjet Pacolli, homologut të tij hungarez, Peter Szijarto.

Përkitazi me këtë, kryediplomati kosovar i kërkoi homologut të tij hungarez, që procedura e dhënies së vizave të lehtësohej që tani edhe në nivel dypalësh.

Nga ana e tij, Szijarto, e quajti shumë të drejtë këtë shqetësim dhe e njohu Pacollin me një rast të ndërhyrjes së tij për të shkurtuar afatet e takimeve për viza në ambasadën hungareze në Prishtinë, dhe tha se do konsideronte çdo hapësirë për të lehtësuar procedurat.

Shefi i diplomacisë kosovare e nisi vizitën e tij sot në Hungari, respektivisht pjesëmarrjen në kuadër të ministerialit të Procesit të Vishegradit, me takimin bilateral me homologun e tij hungarez, Peter Szijarto.

SHPËRNDAJE