Behgjet Pacolli i qon porosi Ramush Haradinaj për taksën

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli po konsideron se taksa e vendosur ndaj mallrave me origjinë serbe dhe boshnjake, ka qenë e arsyeshme dhe e ka luajtur rolin e saj por, shton se tashmë e ka humbur arsyen dhe se është dashur të hiqet nga rendi i ditës.

“Taksa ka qenë e arsyeshme, ka luajtur rolin e vet. Frika ime është se taksa e ka humb arsyen tani dhe taksa është dashtë në njëfarë mënyre të hiqet nga rendi i ditës. Por për tërheqje duhet që Serbia t’i plotësojë disa kushte. Mendimi i jem është, duhet të kthehen në Tavolinën e Dialogut në dhomën tjetër mundet me qenë një komision i cili mund ta trajtojë edhe punën e taksës dhe Serbia duhet ta kthejë respektin ndaj grupit të dialogut. Ne e kemi një platformë. Serbia nuk duhet ta nënçmojë platformën.

Të njëjtën ditë kur fillon dialogu, bisedohet edhe për taksën. Por, bisedohet edhe për disa norma, disa kritere të cilat Serbia duhet t’i respektojë.” – ka thënë Pacolli në “BlicInterview”Sipas tij, Haradinaj po e mbron një parim i cili ka pasur shumë rëndësi por shton se ka ardhur koha kur duhet të shohin që kurrsesi të mos dëmtojnë relacionin me SHBA-të.“z. Haradinaj është duke e mbrojtur një parim i cili ka pasur një rëndësi shumë të madhe deri tani. Por, frika ime është se tani ka ardhur koha kur ne duhet të shohim që kurrsesi të mos dëmtojmë relacionin tonë, marrëdhëniet tona me miqtë tanë perëndimorë e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – ka shtuar ai.

SHPËRNDAJE