Bekim Birinxhiku atdhetar i devotshëm (1975-2013)

Bekim Birinxhiku ishte ndër luftëtarët më të përgatitur të UÇK-së. U lind në fshatin Çubrel, më 28.03.1975, komuna e Skenderajt, në një familje të njohur për tradita atdhetare, por edhe arsimdashëse. Prindërit e Bekimit kishin dymbëdhjetë fëmijë, e Bekimi ishte fëmija i dytë.

Mr. sc. Faton Mehmetaj & Prof. asoc. dr. Sabit Syla

Ai u rritë dhe u edukua në një ambient të mirëfilltë atdhetar. Shkollën fillore e kreu në Çubrel, të mesmen në Skenderaj dhe fakultetin në Prishtinë. Për shkak të kushteve ekonomike dhe rrethanave të vështira nën okupim, në vitin 1996, mori rrugën e mërgimit. Edhe pse jetonte dhe punonte atje, fizikisht me zemër e me mendje ishte në Kosovë. Bekimi ishte një djalë i edukuar, dinte t’i vlerësonte dhe t’i nderonte njerëzit, atë e donte dhe e nderonte secili. Pas rënies së Adem Jasharit dhe familjes së tij në fushën e nderit, në marsin e vitit 1998, Ademi u bë simbol i lirisë për shqiptarët e Kosovës dhe të mbarë trojeve shqiptare.

Sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij u bë frymëzim për secilin shqiptar, u bë zëri i atdheut që e thërriste gjithsecilin për t’u bashkuar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare. Pas kësaj ngjarjeje, Bekim Birinxhiku, nga Gjermania është nisur më datën 9 mars 1998 dhe në Shqipëri ka arritur më 11 mars. Se bashku, me Bedri Shalen, Bekim Berisha (madje Bekimi kishe një përvojë të madhe luftarake në Kroaci), e dhjetëra vullnetarë tjerë të ardhur nga mërgata, i mbaruan trajnimet disajavore në Shqipëri për të pasur njohuri mbi luftën frontale. Pasi i mbaruan trajnimet në Shqipëri, u futën në Kosovë në mënyrë të organizuar, më datë 18 prill 1998.

Bekim Birinxhiku ishte njëri prej luftëtarëve të parë, të ardhur vullnetarë nga mërgata shqiptare për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Bekimi bashkë me disa shokë që ishin kthyer nga vendet e Perëndimit ku ishin duke punuar, në prill të vitit 1998, u ndalën për të luftuar në frontet e hapura të luftës në Rrafshin e Dukagjinit. Bekimi në takimin e parë me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajn, kishte shkuar bashkë me Bedri Shalën dhe Bekim Berishën me të cilët njihej edhe më herët. Në këtë takim, Bekimi ngarkohet me detyra luftarake dhe fillon aktivitetet e tij në vijat e frontit. Fillimisht merr pjesë në vijën e frontit në Baballoq e në Gramçel, më 21 prill, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera frontale të policisë dhe ushtrisë serbe në Dukagjin. Në luftimet e ashpra të zhvilluara në Baballoq, plagoset rënd Shkëlzen Haradinaj, i cili e kishte organizuar një qendrës pashembullt bashkë me bashkëluftëtarët e tij, si: Maliq Ndrecaj, Bekim Birinxhiku, Naser Morina, Lulëzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor) etj. Në këtë betejë, forcat serbe pësuan humbje të rëndë. Bekim Birinxhiku njihej me emrin e luftës “Drenica”. Pas betejës në Baballoq e Gramçel, me urdhër të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, Bekimi sistemohet fillimisht në fshatin Pozhar në familjen e Bajram Mehmetajt, bashkë me Lulëzim Morinën i njohur me nofkën “Luli” dhe Naser Morinën “Bardheci”, për trajnimin dhe përgatitjen për luftë të të rinjve të Bashkësisë Lokale të Lumëbardhit që i kishte 8 fshatra, por aty ishin trajnuar edhe të rinjtë e fshatit Llukë e Epërme, Beleg dhe Kodrali. Falë angazhimit të Bekimit, Lulëzimit e Naserit, u përgatitën për luftë një gjeneratë e djemve, burrave dhe vajzave, që u dalluan në shumë luftëra e beteja.

Më 16 maj 1998, ka arrit në fshatin e lindjes Çubrel (Drenicë), ku e ka dërguar një sasi të konsiderueshme të armatimit për luftëtarët e ketij fshati. Ne vendlindje, u mor me organizimin dhe mobilizimin e të rinjve për luftë. Më datë 26 maj 1998, është nisur për në Shqipëri për armatim me Bedri Shalën dhe shumë ushtarë tjerë dhe janë kthyer më 9 qershor. Rrugëtimin e tretë për Shqipëri e ka filluar më datë 2 korrik 1998, ku kanë mbërri më 4 korrik. Janë kthyer më 17 korrik 1998, nga Tropoja për Kosovë me një numër shumë të madh të luftëtarëve dhe janë ra në pritë në ora 02:30 në mesnatë. Disa ushtarë janë kthyer për Shqipëri e disa kishin arritur në Kosovë. Bekimi ka vepruar në Drenicë nga data 16 maj 1998 e me 17 nëntor të atij viti është kthyer prapë në Dukagjin dhe ka shërbyer deri në përfundim të luftës, në qershor të vitit 1998, me fitoren e plotë mbi forcat serbe. Bekimi ka qenë pjesëmarrës ndër shume beteja që janë zhvilluar në Zonën Operative të Dukagjinit dhe atë të Drenices. Bekimi bashkë me grupin të cilin e udhëhiqte, ka kryer dhjetëra sulme diversive në prapavijë të armikut dhe mbi bazat dhe kampet të ushtrisë dhe policisë serbe.
Bekim Birinxhiku bashkë me Njësinë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e zeza”, që ishte zëvendëskomandant i saj, u dallua në të gjitha betejat e pandërprera nëntëditore, 9-17 janar 1999, në vijën Dashinoc – Raticë, e cila ishte njëra ndër fitoret më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duhet theksuar se vijat e fronit që ishin nën kontrollin e Bekim Birinxhikut dhe të Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e zeza”, nuk u thyen asnjëherë. Aty ku ishte Bekimi nuk kishte zmbrapsje, kishte vetëm fitore dhe suksese. Bekim Birinxhiku dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së, kanë qenë nismëtarë për mobilizim dhe masivizimin e popullit në luftën çlirimtare. Ka qenë zëvendëskomandant për Njësinë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e zeza”, të ZOD-it. Është plagosur disa herë radhazi në vijat e frontit në Dukagjin, aty ku luftohej për jetë a vdekje. Bekim Birinxhiku ka qenë bashkëluftëtar i Bekim Berishës e Bedri Shalës, me të cilët njihej edhe më herët, por që në luftërat që u zhvilluan në Zonën Operative të Dukagjinit u dalluan si luftëtarë të spikatur, por me shumë nder dhe krenari e mbajti edhe emrin e Drenicës, krahinës prej nga vinte. Ka qenë ndër eprorët e UÇK-së që kishte edukatë të lartë e qëndrim të matur. Ishte luftëtar i përgatitur.

Janë të panumërta betejat ku Bekimi me bashkëluftëtarë kanë marrë pjesë dhe i kanë thyer forcat okupuese serbe. Aty ku ka qenë Bekimi, fitorja ishte e sigurtë. Pas mbarimit të luftës dhe çlirimit nga forcat okupuese serbe, Bekim Birinxhiku punoi në TMK me përkushtim e nder dhe përgjegjësi të lartë kombëtare e njerëzore. E kishte gradën e eprorit në Zonën e Tretë Mbrojtëse (TMK). Bekimi e kishte statusin e invalidit të luftës së UÇK-së, sepse ishte i plagosur disa herë në një varg betejash të lavdishme të saj. Figura luftarake e Bekim Birinxhikut ka shkëlqyer kudo në të gjitha luftimet e zhvilluara në Zonën e Dukagjinit, Drenicës e pjesëve tjera të atdheut. Bekimi si i tillë përbënë një kapitull më vete në historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj i meriton titujt dhe dekorimet më të larta që u jepen njerëzve për merita e kontribut ndaj kombit e atdheut. Më 27. 10. 2020, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, është dekoruar me: Urdhrin “Luftëtar i Lirisë – Adem Jashari”.

Bekim Birinxhiku, komandat “Drenica”, është njëri nga ata që ka merita të pakrahasueshme dhe hise të madhe në betejën e lirisë së këtij vendi!