Berberi nga Prishtina dhuron gjithë pazarin ditor për familjen e dy vëllezërve nga Gjilani

Në mesin e 50 viktimave të tërmetit në Shqipëri, janë edhe dy vëllezërit Abazi nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit.

Isa dhe Shemsi Abazi vdiqën nën rrënojat e një hoteli në Durrës, i cili u shemb si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ndodhi në ditën e martë.

Dy vëllezërit po punonin atje dhe po siguronin të ardhurat financiare për familjen, pasi që kushtet ekonomike i kishin të dobëta.

Ndërkaq dje në Prishtinë një sallon i flokëve të meshkujve, ka dhuruar ndihma te kjo familje.

‘Trend hairdressing’ ka dhuruar gjithë pazarin ditor te familja Abazi.

Kështu ka bërë të ditur ky sallon dje, se të gjitha të ardhurat e datës 29 nëntor, do të dorëzohen te familja e dy viktimave.

Ndërkaq sot edhe Qeveria e Shqipërisë ka ndarë 1 milion lekë të reja, apo 16 mijë euro, për familjen e dy vëllezërve Abazi.

Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isah Abazi, 29 vjeç humbën jetën pas shembjes së hotelit ‘Tropikal’ në Durrës.

SHPËRNDAJE