Berisha i përgjigjet Baton Haxhiut: Argati i Serbisë e i Stanishiqit më nderon

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i është përgjigjur Baton Haxhiut me akuzën e njëjtë se gazetari nga Kosova është argat i Serbisë e ish-Shefit të UDB’së, Jovica Stanishic.

“Argati i Beogradit me nderon. Për të ka vetëm një përgjigje: Stanishiq”, ka thënë Berisha, për Gazetën Express, të dielën.

Jonica Stanishic, ishte shef i Shërbimit Sekret Serb (UDB) gjatë viteve 1992-1998. Ishte organizator i dhunës dhe gjenocidit serb mbi Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

Baton Haxhiu ka shkruar disa herë për një takim që i kishte aranzhuar Stanishicit me Mahmut Bakallin.

Haxhiu ka folur për këtë takim. Kishte thënë se i ka kërkuar të mos e niste luftën në Kosovë qysh kishte ndodhur në Kroaci e Bosnje.

“Kur në jetë nuk kisha dashur ta takoj një njeri me emrin Jovica Stanishiq. As për një orë. Por ja që frika nga krimet, tmerri nga parafytyrimi ku shqiptarë e serbë vriten, digjen, masakrohen të detyronte ta lusësh jo vetëm atë, por edhe vetë demonin e krimit më brutal të ferrit. Po njeriu edhe djallin vetë e lutë kur është në pyetje liria dhe shpëtimi i popullit tënd”, kishte shkruar Haxhiu, në një tekst autorial me titull “Pse e takova Stanishicin”.

Megjithëkëtë, Reagimi i Berishës ndaj Baton Haxhiut erdhi pasi ky i fundit tha se ish-Kryeministri i Shqipërisë është i përfshirë në denoncimin e Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt si vrasës në Gjykatën Speciale.

Madje, Haxhiu e përfshiu me familje Sali Berishën në denoncimin e ish-udhëheqësve të UÇK’së.

Express ka shkruar sot se gazetari Baton Haxhiu e ka përfshirë ish-Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, në denoncimet që u janë bërë ish-udhëheqësve të UÇK’së në Gjykatën Speciale, e cila gjykon krimet e luftës e pasluftës në Kosovë.

Haxhiu ka thënë se Sali Berisha ka shitur dosjen e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt te ndërkombëtarët si njerëz që kanë vrarë dëshmitarë e kanosur drejtësinë.

Haxhiu e ka ndërlidhur në këtë denoncim edhe dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili kishte punuar pasluftës në Kosovë.

“Në 2011 i duhej ta zbuste qëndrimin ndërkombëtar të egër ndaj tij pas vrasjeve të 21 Janarit dhe vjedhjes së Tiranës, duke e shitur dosjen e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt si njerëz që kishin vrarë dëshmitarë dhe kanosur drejtësinë. (Mund ta kujtojmë draftin “Haradinaj dhe Limaj” të vitit 2003 që dhëndri i tij e kishte dërguar jashtëligjshëm nga zyra e kryeprokurorit Williamson. E kisha bërë të kundërtën me një prononcim publik timin kundër këtij fakti, vetëm që të mos pasonin akuza për tradhti ndaj Lulzim Bashës)”, ka shkruar Haxhiu, në një tekst autorial, që i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës, i cili po e përfshinë gazetarin kosovar në tema që kanë të bëjnë me ndarjen e Kosovës.

Sali Berisha kishte thënë se se gazetari nga Kosova e ka mbimerin e ish-Shefit të UDB’së. Kishte thënë se Baton Stanishiqi është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë.

“Baton Stanishiqi është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe një nga gjërat më të papranueshme është fakti se si ky u imponohet shqiptarëve në Kosovë në një kohë kur në Kosovë nuk ka njeri atje që nuk e din se ky ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i serbëve”, ka thënë Berisha, në një intervistë për Bota Sot.

“Ai bile ka rrezik që s`ka marrë ndonjëherë mundin ta mohojë këtë gjë. Tani, ky del zëdhënës kryesor i projektit të Serbisë së madhe në Prishtinë, ky del ndërmjetës kryesor i vizitave të Ramës në Beograd dhe merr pjesë në takimet në katër sy, midis Ramës dhe Vuçiqit duke dëshmuar rëndësinë absolute që ka ai në stablishmentin e Beogradit dhe Rama që publikisht e thotë, ky është thotë “një mik i ngushtë i imi”. Pra unë jam shumë i habitur se si ka mundësi të pranohet. Por, të jemi realist kjo është arsyeja që unë e quaj atë “argat in chief”, d.m.th kryeargati. Kryeargati është Batoni i cili i ka të gjitha fijet e tyre dhe u sjell çdo mesazh. Se po të vësh re, marrëdhëniet publike që janë bërë, kanë filluar nga fillimi i verës që kaloi”, ka shtuar ai.

Berisha kishte thënë se është i habitur se si është e mundshme që në Kosovë po tolerohet Baton Haxhiu të flasë e koordinojë ndarjen e Kosovës.

“Për të argumentuar ndarjen e saj, shkëmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve etj me radhë. Që të gjitha këto janë pjesë e një fushate, e montuar në Beograd, e një terrori psikologjik mbi shqiptarët, për një marrëveshje të cilën e kanë arritur në fshehtësi të plotë, në dhunim flagrant të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk autorizon asnjë njeri, të negociojë për territorin, për integritetin dhe sovranitetin e saj dhe nuk ka kushtetutë në botë që autorizon njeri që të diskutojë këto tre ligje kushtetuese. Pra, në këtë kontekst, Batoni është argat “inchief”, dhe habia ime është se si ka mundësi në Kosovë të tolerohet kjo gjë”, ka thënë Berisha.

SHPËRNDAJE