Billderja 82-vjeçare rrah hajdutin që i hyri në shtëpi

Billderja 82-vjeçare nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara, Willie Murphy, tha se një hajdut e zgjodhi shtëpinë e gabuar për të grabitur pasi e rrahu atë me një karrige dhe një fshesë.

Ajo ishte vetëm në shtëpi dhe po bëhej gati që të flinte, kur një burrë trokiti në derë dhe i kërkoi që ta thërrasë një ambulancë.

Ajo refuzoi ta linte burrin e panjohur që të hynte në shtëpi dhe e lajmëroi policinë, por grabitësi i dyshuar më pas e theu derën e shtëpisë së plakës në Rochester të Nju Jorkut.

Billderja që më parë kishte fituar çmim për trupin dhe fuqinë e saj tha se u fsheh në errësirë dhe kërkoi objekte për t’u mbrojtur nga hajni.

“Unë jam e vetmuar dhe e moshuar, por a e dini çka? Unë jam e fortë. Ai e zgjodhi shtëpinë e gabuar”, tha ajo.

“E godita me fshesë dhe u mundova ta largoj nga shtëpia, por ishte shumë i rëndë”, shtoi plaka.

Në ato momente erdhi policia dhe e mori personin e dyshuar. Sidoqoftë, ai së pari u dërgua në spital për shkak të lëndimeve.

“Mendoj se ai ishte i lumtur kur hyri në ambulancë, sepse unë e futa në ambulancë”, përfundoi ajo, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

SHPËRNDAJE