Blakaj zbulon një detaj rreth aferës ‘Pronto’, ja kush u mundua ta frikësojë atë

Ish-prokurori Special, Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje javën e kaluar nga pozita e tij, në një letër publike ka nxjerrë sekrete të sistemit të drejtësisë, ndërsa e ka akuzuar rëndë Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi se ka ndërhyrë në punën e tij kur bëhej fjalë për politikanët dhe për aferën “Pronto”.

Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të rrejshëm dhe kishte lënë gati aktakuzën, ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij, shkruan Gazeta Express.

Ka thënë se ka marrë shumë kërcënime gjatë hetimit që po bënte për listat e veteranëve. Ndërsa ka thënë se në punën e tij e ka penguar edhe Kryeprokurori Lumezi.

“..i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor… ndersa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”, ka shkruar Blakaj në letrën e tij për kryeprokurorin e shtetit.

“Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë!”, ka rrëfyer Blakaj.

Ai ka treguar se Lumezi i ka dhënë presion shtesë duke e qortuar atë pse ka intervistuar Kadri Veselin përgjatë hetimëve të tij për listat e veteranëve, edhe pse kryeparlamentari ishte intervistuar nga Blakaj vetëm si dëshmitar.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”, ka shkruar ish-prokurori. /Express/

SHPËRNDAJE