Blerim Latifi: PDK e mundi vetveten…

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerim Latifi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, thotë se PDK ‘në nuk e mundi Vetëvendosja e as LDK’ja, por e mundi vetë PDK-ja.

Ai thotë se kandidatë nga kjo parti, kanë bërë fushatë të paskrupullt, duke blerë vota për sic thotë ai ‘disa metra drush për dimër ose lëmosha të tjera’.

Ai ka falënderuar votuesit e tij në Skënderaj, të cilët thotë se ‘mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese dhe propagandën kundër tij’.

Për kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin, thotë se ishte i vetmuar në luftën për ta shpëtuar PDK-në.

Ja shkrimi i plotë:

PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit!

Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta.

I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe”.

Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje.

Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së.

Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera.

Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike.

Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme.

Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

Në fund dua t’i falenderoj nga zemra votuesit e mi në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën.

Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen dhe të mbështeten.

SHPËRNDAJE