Bunker, strehimore apo…?

Shkruan: Shaban Krasniqi

Atë ditë shkurti të vitit 1999, orët e mesditës qenë të ngrohta e me diell! Madje edhe bora e pakët u zbut e filloi bile edhe të shkrinte. Jo për gjatë, ngase derisa po i afroheshim mbrëmjes – mjegulla e ngricat do t’a rikthenin prapë sundimin e egër të stinës së dimrit!

Në zyrën e kujdestarisë së MVK (Misionit Verifikues të Kosovës) së OSBE-se në Vushtrri, qetësinë e pasdites së vonë e prishi cingërrima e telefonit. Policia serbe kumtonte me bujë lajmin – “Zbuluam një bunker terroristësh në Studime!”

Ata pak zyrtarë të OSBE-së gjendeshin në zyrë kur u dha lajmi, ndiheshin në siklet. Koha nuk priste. Policia na bënte presion të paparë që të niseshim menjëherë për verifikim bashkë me ta për në vend ngjarje! Shpejtë e shpejtë u “arrnua” patrulla e OSBE-se, e përbërë nga një suedez (L. E.), një rus, finlandezi Esko, dhe natyrisht përkthyesi! Ky i fundit do të duhej t’ishte i nacionalitetit serb, por ata bënin shumë hile e fshiheshin, kështuqë shpeshë e tërë barra e përkthimeve dhe e përgjegjësive binte mbi ne, përkthyesit e kombesisë shqiptare. Suedezi, që ishte edhe udhëheqësi i patrullës, e që për më tepër ishte edhe i caktuari i zyrës së OSBE-së për bashkëpunim me Policinë Sërbe, m’u drejtua:

– “A do të vish ti, Shaban, me ne? Nuk je i detyruar, ngase e di se me vonë ata edhe mund të të hakmirren!”

– Pa u menduar gjatë ia ktheva:

– “Ju keni ardhur nga Suedia për ne, zotëri, andaj sigurisht që po vi!”

Autokolona e Policisë, e përbërë nga gjashtë automjete (tri prej tyre autoblinda, nëse nuk gaboj) printe, kurse Toyota jonë ngjyrë portokalli e OSBE- se si e përgjumur u shkonte pas. Lëvizja e autokolonës kishte filluar nga Policia (atëbotë edhe Akademia e sotme për Siguri Publike ishte në duartë e serbëve), kah Zyra jonë, në dalje të qytetit nga ana veriore, për t’u kthyer pastaj magjistrales në të djathtë, në drejtim të jugut. Kur e kaluam motelin e vetëm që kishte Vushtrria atëbotë, Vicianumin, kolona e lëshoi magjistralen e ktheu në të majtë, në lindje, në drejtim të Svaraqakut, përkatësisht të Studimes. Në degëzimin e parë të rruges kryesore, nja dyqindë metra nga magjistralja, kolona prap vazhdoi në të majtë për nja një kilometer e gjyesëm, pranë shtepisë e punetorisë së sharrës së Esat K. që edhe sot gjenden aty, për t’u kthyer kësaj here në të djathtë përpjetë! Derisa po ngjiteshim me ngadalë rrugës, po mendoja: “Mos vallë do t’ia mësyejnë Studimes se Epërme? Forcat e UÇK-se atje do të rezistonin, padyshim”! Këtë droje timen ua shfaqa ekipit të OSBE-së. Të tre vëzhguesit u shikuan mes vete pa thënë gjë .

Policia serbe, e armatosur deri në dhëmbë, nuk e kishte ndërmend të hynte në zonën e rrezikshme – ktheu në të djathtë e hyri në ara. Lagështia e dheut të shkriftë bëri që ata të mos mund të lëviznin me automjete, andaj autokolona qe e detyruar të ndalonte…Kjo i tërboi plotësisht. Policët po zbrisnin nga automjetet. Sapo preknin tokën me këmbë shtriheshin e hiqeshin zvarrë e në ara e pozicionoheshin me armët në gatishmëri, thuase ishin në front lufte. Disa tjerë u pozicionuan pranë mureve të oborreve të shtëpive të Rashicëve. U printe famëkeqi Vuqina Janiqieviq.

-“Kush është përkthyesi? thirri ai me zë të lartë.

– Unë, ia ktheva.

– Si të quajnë?

– Shaban….Shaban Krasniqi!

– Nga je? më foli shqip.

– Nga Vushtrria.

– T’a terheq vërejtjen – përkthe si duhet!

– Seicili t’a kryej punën e vetë si duhet, ia ktheva!

– E qashtu pra. Hajdeni m’as meje!

Vuqina na printe me tre katër eprorë tjerë, e partulla e OSBE-së e ndiqte pas. Pas nja treqindë hapash u gjendem maje kodrinës. Para nesh pamë një objekt betoni. Hymë brenda. Objekti i kishte 3-4 kthina.

– “Ja ky është bunkeri i terroristëve! – shfryente Vuqina si i tërbuar.

– Në murin e betonit të njëres nga kthinat e objektit ishte varur një flete fletoreje e formatit A5. Në të ishte vizatuar nje revole, ndërsa numrat e vijëzat ne vizatim shërbenin për të shpjeguar pjesët e armës. Fare pranë ne mur ishte gërvishtur mbishkrimi UÇK.

– Ja ky është një bunker terroristësh, e përsëriti për të satën herë Vuqina.

Udhëqesi i partullës së OSBE-së nuk nxori fjalë nga goja, vetëm shikonte me shumë vëmendje. Verifikatori rus, që ishte në shërbim logjistike, e që u perfëshi në ekip vetëm në mungesë stafi gjegjës, po xhironte me kamerën e tij. Esko, finlandezi që ishte mbikqyrës i autoparkut e rrallë kishte qenë pjesë e një verifikimi të ngjajshëm, vetëm shikonte i hutuar.

– Hapësirat tjera të bunkerit terroristët duan t’i përdorinë edhe si strehimore të popullatës, vazhdonte të sqaronte kryepolici. Ja, mund t’a shihni, nga ky vend strategjik i gjithë qyteti shihet si në pëllëmbë të dorës. Shihni atje objektin e policisë! Nga këtu terroristët mund t’na godasin e granatojnë kur të duan!

Pasi mbaroi “verifikimi” i kësaj shfaqjeje të përgatitur mirë nga Policia serbe, po ktheheshim për në zyrat tona. Udhëheqesi suedez, pa hezituar as nga prezenca ime si vendor, që nuk do te duhej t’a dëgjoja këtë debat të ndërkombëtarëve, tha se nuk besonte shumë në versionin e policisë, ndërsa rusi pohonte se një gjë e tillë ishte krejtësisht e mundshme. Vetëm Esko nuk tha gjë.

Suedezi donte t’a dëgjonte mendimin tim rreth tërë kësaj. Për ti’a rritur kureshtjen e tij, nuk komentova gjë në fillim…Pastaj insistimi i tij kaloi pothuaj në urdhër. I thash se ju vetë në OSBE na kishit thënë ne, stafit lokal, që të mbanim qëndrim të paanshëm, e komenti im mund t’ju dukej t’mos ishte i tillë… (….Më erdhi ndër mend thënia e famshme e Dobrica Qosiqit për serbët e gënjeshtrën: “Gënjejmë për ta mashtruar veten, për ta ngushëlluar tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë nga turpi për t’u trimëruar, për ta fshehur varfërinë tonë, gënjejmë për arsye nderi. Gënjejmë për arsye të lirisë. Gënjeshtra është pamje e patriotizmit serb, vërtetim i inteligjencës së lindur. Gënjejmë me kreativitet, imagjinatë dhe inovacion. Gënjeshtra është interes shtetëror serb. Gënjeshtra është pjesë e të qenit serb. Në këtë vend secila gënjeshtër në fund pranohet si e vërtetë. Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar gënjeshtra.” )… U thash se objekti në fjale i përkiste ujësjellsit të qytetit e që ishte jashtë përdorimi për më shumë se 15 vite. Ishte pastruar nga vetë ndërmarrja komunale e ujësjellësit ngase në Zyren tonë të OSBE-së ato ditë një kompani zvicërrane (“Adria”, nëse nuk gaboj), me qëllim të kontribuimit “të afrimit të komuniteteve”, kishte ofruar një projekt me shkrim për rehabilitimin e ujësjellesit të qytetit. U tregova se dokumenti gjendej në zyrën tonë . Rezervoari gjendej n’atë pikë strategjike, jo për atë që thoshte Vuqina, porse për t’u shfrytëzuar lartësia e kodrinës për rënie të lirë të ujit në qytet. Kur ua thash këtë, suedezi e finlandezi u shkrinë së qeshuri.

Vetëm rusi tundëte kohën në shenjë mosbesimi!

…..Tash së voni, në bisedë e sipër ia tregova këte ngjarje mikut tim të çmuar Fazli Rashica! Për çudi timen, më tha se i kujtohej mirë, ngase pas disa minutash që ne e kishim përfunduar vëzhgimin, ai kishte pas kaluar nëpër të njejtën rrugë, për të vazhduar edhe nja 2.5 km tutje deri tek shtëpia e tij që atëbotë gjendej afër kodrinës së Rashiceve. Ai po kthehej nga puna prej fabrikes së Llamarinës për në shtëpi!

Kodra e Rashicëve qe mbajtur e pushtuar më vonë nga pushtuesi serb, e nga aty për disa muaj me rradhë vriteshin civil e granatoheshin shtëpitë e fshatrat shqiptare.

Kjo vërtetë qe një pikë strategjike famëkeqe serbe që nuk duhet harruar kurrë! /Veriu.info/

SHPËRNDAJE