Cana: Më doli jashtë kontrollit dasma në Prishtinë

Lorik Cana është “gjahu” kryesor i mediave shqiptare. Ish-kapiteni i kombëtares sonë, rekordmeni i ndeshjeve me fanellën kuqezi, po kalon një periudhë kohore në Tiranë, bashkë me nusen dhe djalin. E sheh krejt të shpenguar rrugëve të kryeqytetit shqiptar, duke u përshëndetur nga të gjithë. Të enjten, ai ka qenë i ftuari special i emisionit “Rudina” në televizionin Klan.

Aty ka rrëfyer se si i dha fund beqarisë 4 vite më parë dhe u martua me modelen italiane, Monika.

Me këtë të fundit, Loriku tha se ka zhvilluar një ceremoni private martese, me 50 persona në Itali, dhe një ceremoni të madhe, me 650 persona në Prishtinë, prej të cilëve, 150 vetë ishin të paftuar dhe nuk i njihte. Në rrëfimin e tij, Cana nënvizoi ndër të tjera: “Unë kam qenë 7 vjeç, kur e kam lënë Kosovën dhe kam shkuar gjithandej, kurse Monika italiane ka jetuar gjithmonë në të njëjtin qytet.

Kam qenë unë, që e kam ndikuar më shumë për të qenë shqiptare se sa ajo mua. Patjetër që ka qenë diçka që është bërë në mënyrë shumë natyrale. Është një person që ka ndryshuar perspektivën e jetës. Ajo ndihet shumë mirë në Shqipëri dhe kupton shumë mirë shqip. Tirana ndonjëherë nuk të mundëson të mësosh shqip, sepse ajo, kur është në vështirësi, flet italisht dhe të gjithë e kuptojnë.

Jemi mirë dhe besoj se djali është diçka, që e ka pasuruar familjen tonë. Djalit i flas gjithë kohën shqip. Ne kemi 7 vite bashkë dhe 4 vite martesë me Monikën. Ne dasmën që kemi bërë në Kosovë kishim ftuar 500 veta, por erdhën 650, ku më shumë se 150 nuk i njihja fare. Na doli dasma krejtësisht nga kontrolli (qesh). Në Kosovë, njerëz të Monikës kanë qenë vetëm prindërit. Por, tradita te ne është që prindërit ftojnë njerëz. Dasmën në Romë e kemi patur shumë intime, kanë qenë 50 vetë.

Më pas, në jetën tonë erdhi Bojken. Unë kam patur dëshirë të kem fëmijë edhe më herët, por ndoshta nuk do ta kisha shijuar kaq shumë. Tani kam patur mundësi që jetën time ta mbush me djalin, kam kaluar shumë kohë me të. Tani, kur më duhet të iki për punë, më merr malli shumë për të. Bojken sapo ka mbushur 3 vjeç, jemi shpërngulur në Tiranë dhe ai ka filluar kopshtin këtu. Fëmijët janë bekim i jashtëzakonshëm dhe ne nuk kemi dëshirë ta lëmë me një. Por, akoma nuk i kemi hyrë punës. Vitin tjetër ai bën 4 vjeç dhe do fillojmë të mendojmë diçka”.

Po si e ka njohur bashkëshorten e tij italiane, Loriku? Gjatë emisionit “Rudina”, ai e ritregoi momentin e parë: “Kemi qenë në ambientet e një restoranti, kur jemi parë për herë të parë. Para se të largohesha nga restoranti, pa i folur fare, i dhashë numrin tim të telefonit kamarieres dhe ajo ia çoi. Dy ditë më vonë ajo më shkruajti dhe u takuam e filluam të njihemi dhe të frekuentohemi”.

SHPËRNDAJE