Çarja mes VV e LDK po zmadhohet, nuk ka takim për koalicion

Harmonizimi i programit qeverisës po rezulton të jetë pikë më e lehtë se ndarja e posteve në bisedimet VV-LDK, ani pse të dyja partitë kishin trumpetuar se “nuk vrapojnë për poste”.

Partia e Kurtit dhe Mustafës janë futur në heshtje që nga takimi i djeshëm që nxori liderët me fytyra të ngrysura. Ata nuk do të takohen fare sot.

Gazeta ka pyetur në VV e LDK lidhur me mundësinë që partitë të takohen sot për të vazhduar bisedimet për koalicionin që u tha se do të krijohet brenda 100 orëve, dhe nga të dyja është thënë se nuk do të ketë takim.

“Jo sot nuk ka takim”, ka thënë shkurt zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ndërkohë që edhe nga LDK një zyrtar i partisë ka konfirmuar se s’do të ketë takim. Madje, sipas tij, as nuk është e ditur kur do të mbahet një i tillë.

“Nuk ka sot takim, bile as nuk po dihet kur do të jetë i radhës. Në LDK është një heshtje”, ka thënë një zyrtar i partisë së Mustafës, duke mos dashur të flas publikisht.

Sidoqoftë, edhe liderët e partive nuk përmenden ndonjë takim të radhës kur dolën dje nga takimi. Kurti vetëm konfirmoi se ka mospajtime, ndërkohë që Mustafa theksoi se arsyet do të tregohen kur të kalohet mospajtimi.

Ndërkohë, Reporteri.net ka shkruar se posti i presidentit dhe numri i ministrive kanë qenë arsyet që kanë nxjerrë pa marrëveshje nga takimi Mustafën e Kurtin.

SHPËRNDAJE