“Çartet” Shesheli, i gatshëm të hyjë në Kosovë me ushtri

Presidenti i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojislav Sheshel, ka vlerësuar sot se Serbia duhet që në të ardhmen të ketë gjithmonë të gatshëm një njësit ushtarako-policor me rreth 1000 pjesëtarë e cila, qysh në krizën e parë të ardhshme të cilën do ta nxisin shqiptarët, do të ishte e gatshme të hynte në territorin e Kosovës.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Serbisë, Shesheli tha se nuk ka më asnjë lloj kuptimi që sa herë që shqiptarët të nxisin krizë, Serbia të ngre gatishmërinë e ushtrisë e policisë, por nevojitet një njësit që do të jetë gjithmonë i gatshëm për kthim në Kosovë, sepse një gjë e tillë edhe parashihet me Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

“Do të nxisnim një krizë ndërkombëtare. Por, çka ka lidhje? Është edhe koha e fundit që të ndodhë ndonjë krizë në 20 vjetorin e okupimit të territorit tonë. Nëse ka nevojë për përforcime, hyjnë përforcimet. Nëse nevojitet aviacioni, hyn edhe aviacioni”, ka thënë Shesheli dhe ka shtuar se Rusia në shumë raste ka garantuar se nuk do ta lë Serbinë vetëm, dhe, sipas tij, garancione të ngjashme kanë ardhur edhe nga Kina, transmeton Koha.net.

Sipas tij, Serbia duhet të përdor termin “ndarje” në vend të “demarkacionit” kur flet për Kosovën.

Ai thotë se kjo ndarje do të mund të realizohej në atë formë që 12 komunat me shumicë serbe në Kosovë do të ishin direkt nën sistemin e drejtësisë së Serbisë, ndërsa pjesa tjetër e Kosovës do të fitonte hapin më të lartë të autonomisë, ku Beogradi nuk do të përzihej në punët e brendshme shoqërore të shqiptarëve, por me kushtin që kufijtë t’i kontrollojë policia serbe.

“Ky do të ishte opsioni i vetëm për zgjidhjen e problemeve në Kosovë e Metohi. Nuk duhet përjashtuar edhe opsionin e shkëmbimit të banorëve. Kudo që ka fshatra të izoluara serbe, të zhvendosen në rajone me shumicë serbe, apo në Preshevë e Bujanoc, të shkëmbehen prona me shqiptarët. Ky do të ishte varianti i vetëm racional, që të gjithë ata që llogarisin se në fund Kosova do të pranohej në OKB, mund t’i shuajnë ëndrrat e tyre fantaziste”, tha Shesheli.