Çështja e veteranëve të rrejshëm, komandanti i FSK-së jep deklaratë të papritur

Rrahman Rama ishte komandat i Zonës Operative të Shalës Rrahman Rama që sot udhëheq me institucionin më të besueshëm në vend, Forcën e Sigurisë së Kosovës, pranon se problemi me listat e veteranëve po dëmton imazhin e Republikës së Kosovës dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës, Rrahman Rama ishte komandat i Zonës Operative të Shalës, zonë për të cilën thotë se është i gatshëm të jap sqarime, në çdo kohë që është e nevojshme.

Thotë se nuk e kupton se me çfarë përgjegjësie morale dikush mund të gëzojë statusin e veteranit luftëtar që nuk i takon. Në një intervistë për kp, Rama thotë se çështja e veteranëve tash është në duart e institucioneve të drejtësisë.

“Unë kam qenë edhe si anëtar i Komisionit Qendror, dhe mund të them me përgjegjësi, për aty ku kam qenë përgjegjës, mund të them dhe mund të jap sqarime e përgjegjësi…Për atë përgjegjësi që më takon jam i gatshëm që çdo kund, në çdo moment të jap arsyetim ose përgjegjësi”, thotë ai. Gjeneral Rama thotë se tash edhe qytetarët duan të dinë se kush ka qenë e kush jo luftëtar veteran, por sipas tij do duhet kohë dhe sqarim që të zbardhet çdo gjë.

Sipas tij, duhet të dalë në dritë çdo gjë si për veteranët e vërtetë, ashtu edhe për ata që pretendohet se kanë keqpërdorë. Por, komandanti i Forcës thotë se nuk e kupton se me çfarë përgjegjësie morale dikush mund të gëzojë një status që nuk i takon.

“Nuk e di se ata veteranë, nëse ka, nuk e di, nëse ka të rrejshëm nuk e di në kuptimin moral si mund ta marrë një titull kur nuk ka qenë, kur familja e tij e di që nuk ka qenë pjesë e luftës, kojshitë e dinë, farefisi e di, katundi e di që ai nuk ka qenë veteran. Nuk e di me çfarë përgjegjësie morale, njerëzore mund ta gëzojnë një status që nuk u takon. Kjo është e pakuptueshme për mua. Por, mendoj që tash kjo është çështje e drejtësisë, është proces që do të vazhdojë dhe po besoj që të gjitha do të zbardhen, do të dihet realiteti kush është më të vërtetë veteran e kush është përfitues ose qysh po i quajnë tash ‘veteran i rrejshëm’, ”, tha Rama.

Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë listën e plotë me mbi 20 mijë emrat që po cilësohen persona që përfituan kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit. Në Zonën Operative të Shalës, u publikuan 187 anëtarë veteranë të cilët prokuroria i kategorizon të rrejshëm. Kujtojmë se me hartimin e listave të veteranëve Zona Operative e Shalës kishte dalë me më së paku veteranë, krahasuar me zonat e tjera.

SHPËRNDAJE