Çfarë tha dje Haradinaj në Bruksel për Amerikën dhe Demarkacionin (Fjalimi i plotë)

Kryeministri i Kosovës, ka zhvilluar dje një takim në Bruksel ku është diskutuar për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dialogun me Serbinë ku kërkoi përfshirjen e SHBA-së në këtë proces, vizat, e Demarkacionin me Malin e Zi

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,
I nderuar Komisioner Hahn,
Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,
E nderuar Ambasadore Apostolova,
Kolegë të nderuar,

Ju faleminderit për mirëpritjen tuaj sot në Bruksel në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë fundamentale të procesit të integrimit evropian si interes strategjik shtetëror. Procesi i integrimit evropian gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët tanë që nga vitet e 90-ta.

Dëshiroj të theksoj, ashtu siç edhe kam deklaruar, se Kosova nuk shkon në BE, Kosova bëhet BE.

E nderuara zonja Mogerini, i nderuar Komisioneri Han,
Me 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Jubileu i parë si shtet sovran. Me këtë rast dua që t’ju ftoj që të dy për të qenë pjesëmarrës në festimet tona gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Ftesat zyrtare do t’i pranoni në kohën e duhur.

Qeveria e ka pranuar si parim udhëheqës dhe themelor aderimin në BE. Për më shumë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018. Në këtë veprim ne do të koordinohemi ngushtë me institucionet e BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ishte një hap i rëndësishëm përpara. Me sukses kemi vendosur marrëdhënien kontraktuale që shërben si bazë për reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik; reforma këto që do të jenë me dobi për qytetarët tanë dhe që çojnë drejt marrëdhënieve edhe më të fuqishme me Bashkimin Evropian.

Jam i vetëdijshëm për kapacitetet zbatuese, por jam duke punuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës dhe ato sektoriale me qëllim të funksionalizimit të MSA-së dhe ARE, në mënyrë që të rezultojë me një afat të qartë kohor për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme para se Kosova të marrë Statusin e vendit kandidat për BE.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qartësim të rrugës së integrimeve dhe detyrë e kësaj qeverie është që të rikthejë shpresën tek populli i Kosovës, me qëllim të shmangies së një vale të re të migrimit, të trazirave sociale dhe të dëshpërimit.

Që nga marrja e detyrës, Qeveria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në zbatimin e reformave kyçe të identifikuara në Agjendën e Reformave Evropiane. Jam i përkushtuar për një qeveri që bazohet në performancë, e udhëhequr nga rezultatet dhe llogaridhënia. Prioritetet e mia kryesore janë: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit, Ekonomia, Shëndetësia dhe Arsimi.

Deri më sot, institucionet kanë bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha 22 prioritetet e ARE-së. Duke pasur parasysh se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe me qëllim të përshpejtimit të reformave në vitin 2018, u kam kërkuar të gjitha ministrive përkatëse që të vendosin një kurs të qartë dhe të matshëm veprimi për vitin 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përparimi ynë në realizimin e reformave të MSA-së do të matet në bazë të veprimeve konkrete.

Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës.

Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por poashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.
Këtë vit kishim zgjedhjet e para në të cilat votoi për herë të parë gjenerata e lindur pas vitit 1999.

Është e paqartë për ta dhe plotësisht e papranueshme se Kosova vazhdon të jetë një çështje e pakryer. Ka konfuzion në mesin e popullatës së Kosovës dhe ekziston një vakum i cili po të mbushej në mënyrë jo të duhur do të kërcënojë stabilitetin. Gjeneratat e reja të Kosovës jetojnë në teh të radikalizimit dhe dëshpërimit.

Jemi fuqishëm të përkushtuar për të çrrënjosur aktivitetet kriminale dhe efektet negative në shoqërinë tonë.

Qeveria e Kosovës ka intensifikuar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Numri i rasteve të targetuara, ngritjes së aktakuzave, vendimeve të shkallës së parë, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të shqiptuara është rritur vazhdimisht që nga viti 2016, duke dëshmuar vendosmërinë e fuqishme të Kosovës për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:
· Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;
· Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;
· Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;
· E përgatitëm shoqërinë;
· Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.

Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet.

Në aspektin rajonal, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet duke synuar avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne i respektojmë fqinjtë tanë dhe presim të njëjtën edhe nga ata. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran dhe të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ne do të sillemi si të tillë. Pa dashur që ta theksojmë asnjë çështje, por ne do të veprojmë vetën si shtet Sovran.

Ne besojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë por fillimisht duhet t’i bëjmë të ditura dy gjëra:
· E para, ky dialog duhet të ketë një epilog të përcaktuar në kohë,
· E dyta, duhet të ketë përfshirje të SHBA-së.

Ne filluam zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet e 90-ta së bashku me SHBA-në dhe BE-në dhe ne besojmë se duhet të qëndrojmë së bashku deri sa Kosova të bëhet çështje e kryer.

Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, përmes garantimit të dialogut nga BE dhe SHBA.

Kosova beson se kjo garanci dhe përcaktimi kohor i dialogut do të përmbyllet me njohjen reciproke nga të dyja vendet.

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë nuk është vetëm në interes të Kosovës por është imperativ i kohezionit politik, ekonomik e social për të gjithë rajonin.
Me Marrëveshjen për Bashkëpunim Rajonal, Kosova pret që të marrë pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në përgjegjësitë e saj dhe të flas për veten e saj në të gjitha takimet rajonale. Është e papranueshme që të dëgjojmë nga Serbia se si dialogu dhe stabiliteti është me rëndësi për rajonin, ndërkohë që në anën tjetër ajo në mënyrë proaktive lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti në mekanizmat e sigurisë – INTERPOL dhe EUROPOL.

Në këtë rrafsh, në përputhje me Kornizën e Agjendës Evropiane, na kërkohet në vazhdimësi që të ngrisim bashkëpunimin me EUROPOL-in. Deri tani kemi arritur progres të konsiderueshëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale bashkëpunuese. Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL dhe EUROPOL sa më shpejt dhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Serbia duhet menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet që e bllokojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto organizata.
Ne nuk mund të flasim për përparim dhe mirëbesim përderisa Serbia vazhdon me këtë sjellje!

Dhe për fund, më lejoni t’ju falënderoj për bashkëpunimin dhe dialogun tuaj në vitin 2017. Ne kemi përfunduar me sukses të gjitha takimet nën ombrellën e MSA-së. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e paepur të bërë nga ju dhe ekipet tuaja, veçanërisht Ambasadoren Apostolova për sinqeritetin dhe ndihmën e saj praktike ndaj institucioneve të Kosovës

.
Ju faleminderit për vëmendjen.

SHPËRNDAJE