Cilat shtete i erdhën në ndihmë Shqipërisë pas tërmeteve?

Ish-komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, reagoi shumë shpejt në Twitter pas tërmetit të fuqishëm të regjistruar në Shqipëri.

Ai u shpreh i shqetësuar për serinë e lëkundjeve të fuqishme që tronditën Shqipërinë duke shkaktuar të lënduar dhe dëme serioze për infrastrukturën.

I shpejtë ishte edhe reagimi mbështetës i Prishtinës. Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, shkroi në Facebook se qeveria kosovare do ta ndihmojë Shqipërinë financiarisht për të minimizuar dëmet.

Edhe shtetet fqinje, si Italia dhe Greqia, u shprehën të gatshme t`i vijnë në ndihmë Shqipërisë në këtë moment të vështirë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se ka marrë një telefonatë nga homologu italian Giuseppe Conte “i cili ka ofruar mbështetjen e Italisë për të përballuar pasojat e tërmetit”.

Mësohet se krerët e dy bashkive në rajonin Marche kanë kontaktuar me specialistë të Emergjencave Civile të Bashkisë së Tiranës duke ofruar ndihmën e tyre për të gjithë personat që u prekën nga lëkundjet.

Ndihmë u ofrua gjithashtu nga Franca, Austria dhe vendet e tjera të BE-së, shkruan Top Channel.

Ministria e Jashtme e Greqisë, po përmes Twitterit, përcolli mbështetjen dhe solidaritetin e saj me popullin shqiptar, ndërsa burime diplomatike flasin për gatishmërinë e palës greke për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përballimin e pasojave.

SHPËRNDAJE