Cilët janë shkaktarët që për dy vite rresht Kosova dështoi të merr njohje të reja?

Dy vitet e fundit, diplomacia kosovare ka dështuar në arritjen e njohjeve të reja nga vendet që ende nuk e kanë bërë këtë.

E lidhur me këtë, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është përgjigjur sot para Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me Samitin e Berlinit dhe procesin e njohjeve, të adresuara nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Atje nuk ka pasur një qëndrim të koordinuar dhe unik të dy institucioneve. A mendoni që ky mosunitet i qëndrimeve ka dëmtuar raportet bilaterale me shtetet nikoqire dhe raportet e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Çështja e dytë ka të bëjë me njohjet. Këto dy vite kemi ngecjen më të madhe në procesin e njohjeve. Cila është arsyeja themelore e ngecjes së njohjeve”, ka pyetur Osmani.

Kurse, kryediplomati kosovar tha se është bërë proces i ndërlikuar për shkak të interesave gjeostrategjike të shteteve të mëdha.

“Sa i përket njohjeve është një proces i ndërlikuar. Është ndërlikuar jashtëzakonisht sepse bota është ndarë në interesa gjeostrategjike, një pjesë dominohet nga Kina dhe normalisht dominon edhe politikisht. Rusia është shumë prezente, në mënyrë intensive punon në disa shtete”, ka thënë Pacolli.

Gazeta Blic, ka folur me deputetin e PSD-së, Faton Topalli, lidhur me këtë dështim të diplomacisë kosovare.

Ai ka thënë se pikësëpari, faji është tek qeveria e vendit, e cila sikurse brenda vendit, po ashtu edhe jashtë, nuk ka ditur që të jetë e denjë karshi përgjegjësive të saja.
Topalli renditi disa prej arsyeve pse Kosova që dy vite po vazhdon që të ketë ngecje të njohjeve.

“Pikësëpari ky është dështim i qeverisë Haradinaj. Kjo qeveri na ka bindur që nuk din si të qeverisë as brenda vendit, e as të bëjë përfaqësim të denjë jashtë tij. Që nga dështimi për përmisimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, e deri tek përfaqësimi i shtetit në takimet diplomatike, janë disa nga arsyet kryesore që kanë bërë që të ketë dështim të bindjes së shteteve për njohje të Kosovës. Normalisht, këtu ka ndikuar madje shumë edhe ndërprerje e dialogut Kosovë-Serbi, dhe kuptimi që kjo ndërprerje ia ka dhanë disa vendeve të cilat kanë vendosur që të presin deri në definim të marrëdhënieve mes shtetit tonë dhe atij të Serbisë”, ka thënë Topalli për Gazeta Blic.

Po ashtu edhe Arton Demhasaj, nga Organizata Çohu, ka thënë se përgjegjësia për dështimin e ministrisë së Punëve të Jashtme, për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, duhet ta merr vetë ministri Pacolli.

Demhasaj thotë se njëri ndër shkaktarët kryesorë për këtë dështim, është lobimi i dobët i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe i ambasadorëve të akredituar nëpër vende të ndryshme – që sipas tij, shumica e tyre janë familjarë të zyrtarëve më të lartë të shtetit.

“Fillimisht përgjegjësia kryesore bie mbi ministrinë e Punëve të Jashtme, si përgjegjëse kryesore për këtë çështje. Por, përvec një lobimi i dobët nga ana e tyre, kemi të bëjmë edhe me një diplomaci të dobët nga ambasadorët e Kosovës, që janë vendosur nëpër vende të ndryshme, e të cilët shumica janë familjarë të zyrtarëve më të lartë të shtetit”, ka thënë Demhasaj.

“Njëra ndër arsyet kryesore është edhe ndërprerje e dialogut Kosovë-Serbi. Shumë prej vendeve të cilat e kanë pasur në agjendë njohjen e Kosovës, e kanë stopuar këtë, për shkak se presin se deri të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Kësaj i ka ndihmuar shumë edhe agjenda e presidentit Thaçi për idenë e korrigjimit të kufinjëve dhe shkëmbimit të territoreve. Kjo ka ndikuar shumë që të ndalen njohjet për Kosovën, deri të bëhet një marrëveshje me Serbinë”, ka thënë Demhasaj.

Kurse, para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, kryediplomati Pacolli bëri të ditur se këto ditë pritet njohja nga Kongo.

Pacolli theksoi se ka marrë konfirmimin se edhe shteti i Etiopisë tashmë ka nisur procedurat për njohjen e Kosovës.

Gjatë raportimi, kryediplomati kosovar njoftoi poashtu se Kosova do aplikojë për Këshillin e Evropës pasi sipas tij tani është e gatshme.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE