Cimili: Punimet në veri të vazhdojnë, jo të ndërpriten

Përderisa, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka urdhëruar sot ndërprerjen e të gjitha punimeve në urën e Ibrit dhe sheshit ‘Kral Petar’ në veri të Mitrovicës për shkak të një sulmi që ndodhi një ditë më parë ndaj një personi me kombësi serbe, asamblisti shqiptar i kësaj komune, Bashkim Cimili në një prononcim për Telegrafin ka thënë se punimet duhet të vazhdojnë e jo të ndërpriten.

Cimili theksoi edhe nevojën e rritjes së numrit të policëve shqiptarë në veri të Mitrovicës.

Ai gjithashtu thotë se sikur të kishte më shumë policë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës do të ishte më i lehtë identifikimi i sulmuesve.

“Duhet të ceket se fillimisht rrahja brutale ndodhi më 11.04 2017, ku u rrahën katër shqiptar, pastaj djegia e ambulancës në Kodër të Minatorëve, gjithashtu edhe sulmi i mbrëmshëm ndaj një serbi. Andaj kërkojmë që të rritet niveli i sigurisë në veri të Mitrovicës”, u shpreh Cimili për Telegrafin.

Cimili kujton edhe rastin e disa të rinjve shqiptarë, të cilët ditë më parë u sulmuan nga disa persona.

“Kanë qenë të sulmuar edhe të rinjtë shqiptar, të cilët kanë dal në shëtitore në veri nga një grup i të rinjve serb”, ka thënë asamblisti nga Kuvendi komunal i Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili.

SHPËRNDAJE