Çka është politika?

Shkruan: Valmire Sylejmani

Për dallim prej segmenteve të tjera shoqërore, politika është shumë më specifike dhe më komplekse. Rëndom veprimtaritë apo aktivitetet tjera shoqërore janë të bazuara më tepër në klishe të përgjithshme.

Si të tilla ato funksionojnë brenda një kuadri standard në gjithë botën, me ndryshime të vogla. Në këtë kontekst mund të përmendim pothuaj se shumicën e atyre që njihen si profesione.

Mësimdhënësit, gazetarët, studentët etj, në të gjitha vendet funksionojnë sipas rregullave të përcaktuara nga të tjerët. Ata punojnë sipas shablloneve, planeve dhe rregullave të caktuara për mësimdhënës, gazetarë apo studentë. Në njëfarë mënyre disa rregulla ekzistojnë edhe për politikanët, mirëpo kjo është shumë më ndryshe. Esenca është në atë se politika ofron mundësi shumë të madhe për të qenë kreativ. Dhe këtu nuk është dallimi i vogël.

Sigurisht se edhe politika funksionon konform disa rregullave, mirëpo ato janë shumë më elastike. Duke u nisur nga kjo mund të nxjerrim si konkluzë se politika ofron mundësi shumë më të mëdha për të qenë ndryshe. Këtu është fjala për dallimin në mes politikave që bëjnë politikanët në një vend të caktuar, por edhe të politikave të vendeve të ndryshme. Kështu në bazë të rrethanave dhe specifikave të një vendi edhe politika është specifike dhe e ndryshme nga vendet tjera.

Mirëpo edhe brenda një vendi të caktuar politikanët kanë vizione të ndryshme. Dhe kjo e bën politikën më komplekse dhe më të ndryshme se segmentet tjera shoqërore. Shohim se në një shtet ka shumë parti, mandej lëvizje të ndryshme qytetare, të cilat patjetër se kanë diçka që dallohen prej të tjerave.

Ato shquhen për orientim ideologjik, mandej identitet historik, filozofi vepruese apo diçka tjetër. Gjithashtu rëndom mbledhin rreth vetes edhe anëtarë dhe personalitete që kanë një ide, një problem apo një kauzë të përbashkët.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, atëherë kuptojmë se kemi të bëjmë me diçka që mund të quhet si jokonvencionale. Dhe pikërisht ky jokonvencionalitet e bën politikën edhe atraktive. Shohim se ajo është vazhdimisht një terren që ofron rrugë të pashkelura. Është diçka që nuk të kufizon, por të ofron.

Për këtë edhe shumë individë të përfshirë fuqishëm në politikë, apo edhe liderë të partive politike nuk janë njerëz të kualifikuar politikisht. Po çka janë ata? Ata janë personalitete që janë shquar me një vizion ndryshe, që kanë pasur guxim dhe kanë marrë vendime që kanë ndryshuar gjendjen.

Kjo patjetër si ju ka hapur rrugë për të qarë përpara. Dhe më e rëndësishmja është se ia kanë dalur që të mbledhin rreth vetes njerëz të kualifikuar, këtu edhe me shkolla politike, të cilët i japin ngjyrë politikës. Si shembull për këtë mund të përmendet poezia apo edhe arti në përgjithësi. Një njeri mund të kryej shkolla letrare, por nuk do të thotë se domosdoshmërish do të jetë një poet i mirë. kjo vlen edhe për politikën. Nga kjo del se kemi të bëjmë më tepër me një dhunti apo me një rezultat të një rrethane, në të cilën është gjetur mirë.

Në fund mund të themi se politika apo aktivitetet politike që e mbajnë gjallë një politikan janë gjetjet funksionale në një situatë të caktuar. Për atë edhe thuhet se politikanët dallohen prej njëri tjetrit prej prioriteteve që zgjedhin.

(Autorja është politologe)

SHPËRNDAJE