Clinton zbulon fotografinë nga Kosova të cilën e mban në zyre

Çdo herë ka qenë dhe do të jetë nderi më i madh në jetën time, që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik, ka thënë sot ish-presidenti amerikan, Bill Clinton në ceremoninë e organizuar me rastin e 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Clinton ka thënë se ndihet mirënjohës që sot pas 20 viteve ndodhet me popullin shqiptar.

Gjatë fjalimit të tij ai ka falënderuar presidentin Thaçi e kryeministrin, Haradinaj për punën që kanë bërë përgjatë 20 viteve në Kosovë.

Ai ka falendëruar edhe qytetarët e vendit dhe ka thënë se është merita e tyre të kanë vendosur të jetojnë me shpresën e të ardhmes së duhur.

“Para se të mendoni për të gjitha gjërat që duhet t’i bëni, jeni mirënjohës që në udhëtimin tuaj të vështirë dhe të gjatë nuk ka pasur kthim të dhunës sistematike, shkatërrimit. Merita për këtë i shkon qytetarëve të Kosovës të të gjitha etnive, të cilët kanë vendosur të jetojnë me shpresën e të ardhmes së duhur”, ka thënë ish-presidenti amerikan.

Mes tjerash, Clinton ka treguar se në zyrën e tij në Nju Jork mban një fotografi në mur e cila është shkrepur në Prishtinë pas mbarimit të bombardimeve – në të cilën janë Madeleine Albright, Tony Blair, ai dhe shumë njerëz të tjerë.

Ish-presindeti ka thënë se çdo ditë që e shikon atë fotografi kujton se çfarë ka qenë qëllimi i tij kryesor i politikës./gazetametro.net

SHPËRNDAJE