Coronavirusi me ndikim negativ në shëndetin mendor të kosovarëve, hulumtimi i UNDP-së thotë se 59 % e të anketuarve e pohojnë këtë

Coronavirusi ka pasur jo pak ndikim në jetën e qytetarëve të Kosovës, edhe sa i përket aspektit ekonomik e edhe atë mendor.

Një hulumtim I UNDP-së, i titulluar Pulsi Publik, ka pyetur qytetarët se si e kanë menaxhuar aspektin ekonomik gjatë pandemisë.

Sipas hulumtimit, 41% e të anketuarve thanë se kanë zvogëluar shpenzimet, ndërsa 15.3% huazuan para dhe 14.1% vazhduan të punojnë për të përballuar krizën pandemike.

Raporti i nxjerrë nga ky hulumtim, konstaton se shumica e të anketuarve raportuan ndikim negativ të COVID-19 në shëndetin e tyre mendor, shkruan Reporteri.

“Gjithsej 65.9% e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur një ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 40.7% deklaruan se ndikoi negativisht në shëndetin e tyre fizik, dhe 59% deklaruan se ka pasur ndikim negativ në shëndetin e tyre mendor.

Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se mirëqenia ekonomike e femrave (68.4%) u prek më shumë sesa ajo e meshkujve (63.6%). Shëndeti mendor i femrave (60.9%) ishte gjithashtu më i prekur sesa ai i meshkujve (57.2%), ndërsa niveli i ndikimit të COVID-19 në shëndetin fizik është i njëjtë si për femrat (40.7%) ashtu edhe për meshkujt (40.6%)”, thekson raporti në fjalë.

Shumica e të anketuarve, 78.8%, u deklaruan të kënaqur me reagimin e institucioneve publike ndaj krizës së shkaktuar nga shpërthimi i COVID-19.

Ndërkohë, gjithsej 39.8% e të anketuarve deklaruan se burimi i tyre kryesor i informacionit ishin programet në TV dhe radio, pasuar nga portalet online të lajmeve (24.9%), dhe faqet e rrjeteve sociale (23.1%); pjesa e mbetur ka përdorur
burim tjetër informacioni.

Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë nuk tregojnë dallime të mëdha midis meshkujve dhe femrave në lidhje me strategjitë për të përballuar ndikimin e COVID-19 në të hyrat e familjes. Shumica e meshkujve (53.6%) dhe femrave (55.6%) kanë zvogëluar konsumin për ta përballuar këtë problem.

SHPËRNDAJE