Daci: Sa të jetë Amerika, Kosova nuk do të dëmtohet kurrë në marrëveshjen me Serbinë

Ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci ka deklaruar se derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë rolin kryesor në dialogun me Serbinë, Kosova nuk do të dal e lënduar nga ky proces.

Daci thotë se SHBA’të, BE dhe Gjermania nuk do të lejojnë të vendosin vija të atilla që dëmtojnë Kosovën në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Shkëmbimi i territoreve nuk është fare angazhim i imi. Amerika i ka caktuar dy njerëz, BE-ja është në pritje të caktimit të një njeriu dhe rezultatet që dalin nga konferencat ndërkombëtare, do të jenë ato që duhet të pranohen, cilado qofshin, por me pëlqimin e Kosovës sepse Kosova i ka shkatërrimet.

Diku 200 mijë shtëpi të djegura, krejt potencialet financiare të vjedhura, banka popullore, mjetet e kursimeve, të pensioneve andaj e gjithë e keqja nuk mund të shpërblehet.

Unë kam besim të plotë që në veçanti e them, amerikanët, por edhe Evropa, Gjermania dhe Franca deri diku, nuk do të vendosin vija të atilla që e dëmtojnë Kosovën në asnjë mënyrë”, ka thënë Daci në Rubikon.

Daci ka thënë se interpretimet se kinse ai është për shkëmbim territoresh janë të gabueshme.

“Janë interpretime të gabueshme se ky apo ai po e përkrah shkëmbimin. Janë parlamenti e qeveria, ekipet ndërkombëtare, Amerika dhe Evropa e një zgjidhje duhet të bëhet.

Nëse s’bëhet në këtë formacion nën udhëheqjen amerikane, atëherë shumë keq na shkruhet për ardhmërinë tonë”, ka deklaruar më tej Daci.